Nga Maksi Çami
Edhe pse tani të gjithë janë me pushime, në shtator nis sërish propaganda. Prapë do na e shesin Shqipërinë 2030 si versionin update të mrekullisë dhe zhvillimit. Do plasin statistikat se si jemi numri 1 në botë për turistët se e numërojmë veten 4 herë kur hyjmë e dalim deri në Janinë. Prapë do gëzohemi kur shefi i qeverisë bën humor në Facebook. Por është e habitshme se si shqiptarët e shijojnë kaq shumë të propagandohen. Si kënaqen nga një kryeministër bullizues dhe një qeveri me më shumë staf për Instagram se për shkolla. Kjo nuk është më propagandë është një fe e re. Dhe ndjekësit janë me miliona.
Dikur propaganda ishte një poster me yll të kuq. Sot është një story me filter. Me ngjyra, me zhurmë, me shumë “engagement”. Dhe as nuk duhet më të gënjejë. Mjafton të të lodhë. Mjafton të të ngatërrojë. Nëse mendon se propaganda është thjesht një gënjeshtër e madhe, je ende në vitin 1984 (jo romani por viti). Sot ajo nuk vjen për të të imponuar një “të vërtetë të madhe”. Vjen për të bërë rrëmujë në kokën tënde. Vjen që t’i relativizosh të gjitha: të keqen, të mirën, krimin, ndershmërinë. Derisa thua: “Të gjithë njësoj janë.” Dhe aty ka fituar. Sepse nëse nuk beson askënd, nuk kundërshton askënd. Vetëm shikon. Dhe shfryn në Facebook.
“Ekonomia është më mirë se kurrë!” Sa herë e ke dëgjuar këtë frazë? Sa herë në lajme, intervista, ‘Live’ qeveritare? Përsëritet aq shpesh, sa edhe vetë ekonomistët fillojnë ta dyshojnë teorinë e tyre. Është një teknikë e vjetër, përsëritja e pafundme e një ideje, sado absurde, e kthen në “të vërtetë”. Nuk ka rëndësi nëse nuk ndihesh mirë. Nëse çmimet janë dyfishuar. Nëse nuk të del paga. Sepse lajmet të thonë çdo ditë: “Je më mirë se dje!” Dhe ti fillon të ndihesh fajtor që nuk ndihesh i lumtur.
Që mos t’i dëgjosh problemet e vërteta, të ushqejnë me copëza thashethemesh. Një ditë për kë është ndarë nga partneri, një ditë për një grua që ka shkuar në Dubai, një ditë për sherret në emisionet e mbrëmjes. Kështu e harrojmë që arsimi është në kolaps. Se njerëzit s’kanë mjekë. Se vendi po zbrazet. Po kush ka kohë për këto, kur duhet të analizojmë fotot e VIP-ave nga Mykonos? Ndërkohë, kush kontrollon vëmendjen tënde, kontrollon edhe çfarë ti mendon. Dhe kur mendon vetëm për batuta e showbiz, nuk mbetet më energji për të kërkuar llogari, për të qenë qytetar aktiv, intelektual.
Kur një popull është në frikë të vazhdueshme, nuk ka nevojë për polici. Ka vetëcensurë. Ka dorëzim. Dhe propaganda e përdor frikën si ushqim. Lajme dramatike, gjuhë apokaliptike, ndjenja e afërt e katastrofës, konspiracionet, kush e sundon botën… jo për të të informuar, por për të të paralizuar. Kur frika bëhet norma, propaganda s’ka më nevojë për armë. Ka ekranin. Dikur ekranin e TV sot, të iPhone 16-es. Sot propaganda nuk të ndalon të mendosh, si në komunizëm. Vetëm të thotë se nuk ja vlen të lodhesh. Dhe kjo është forma më e pastër e kontrollit, kur dorëzohesh pa u detyruar. Dhe për sa kohë ne vazhdojmë të reagojmë me një “ehhh, s’bohet ky vend”, atëherë propaganda nuk ka nevojë të përpiqet shumë. Vetë jemi bërë bashkëpunëtorë.
P.s. Në shtator, sezon i ri. Episodi i radhës: “Sukseset e qeverisë që populli nuk i vlerëson sa ç’duhet.”