FLASH :

Nga lavdia te falimentimi: Legjenda e sportit shet shtëpinë me humbje pas divorcit dhe skandaleve

I njohur për goditjet e fuqishme në fushë që e çuan drejt titullit kampion bote dhe e bënë një nga figurat më të mëdha të rugby-t anglez, Lawrence Dallaglio po përballet tani me sfidën më të madhe të jetës jashtë sportit: falimentimin.

Pas një divorci të ashpër me bashkëshorten e tij prej 20 vitesh, ish-kapiteni i Anglisë është shpallur zyrtarisht i falimentuar. Goditja e fundit për të ka qenë shitja me humbje e shtëpisë familjare në Richmond, Surrey aty ku pa të rriteshin fëmijët e tij. Ai e shiti pronën për 2.7 milionë paund, plot 600 mijë paund më pak se sa çmimi fillestar prej 3.3 milionë paundësh.

Ironikisht, banesa është blerë nga një yll i ri sportiv mbrojtësi i Brentford-it dhe përfaqësues i Anglisë U-19, Jayden Meghoma, i cili ka marrë një kredi prej 2.43 milionë paundësh nga banka elitare Coutts, e njëjta që përdoret nga Mbreti Charles.

Shtëpia, e blerë nga Dallaglio për 925 mijë paund në vitin 2001, ishte pjesë e procedurës së falimentimit të kërkuar nga një prej kreditorëve të tij, pas një padie të ngritur nga ish-bashkëshortja Alice. Gjatë seancës gjyqësore u bë e ditur se vlera neto e pasurisë ishte vetëm 1.2 milionë paund.

Divorci vjen pas një sërë vitesh problemesh financiare, përfshirë një borxh ndaj tatimeve prej 700 mijë paund, që dikur e vendosi Dallaglion në rrezik të falimentimit edhe në vitin 2022. Kompania e tij sportive, e themeluar që në vitin 1997, u përball me një mori borxhesh ndaj furnitorëve dhe partnerëve.

Pavarësisht një marrëveshjeje për shlyerje vullnetare të borxheve, një raport financiar në 2023 tregoi se ai ende kërkohej për qindra mijëra paund hua.

Çifti, që u martua në një ceremoni romantike në Liqenin Como në vitin 2005, finalizoi ndarjen vetëm pak muaj para shitjes së shtëpisë. Familja e Alice, përfshirë nënën e saj, Lydia Corbett – muzë e fundit e Pablo Picasso-s hodhi poshtë pretendimet se martesa dështoi për shkak të një afere të modeles me milionerin Leon Butler në vitin 2005, duke fajësuar problemet e Dallaglios.

Në fakt, martesa e tyre kishte mbijetuar një varg skandalesh që nga fundi i viteve ’90: festa të çmendura, përdorim droge, prostitucion dhe madje deklarata publike ku Dallaglio pranoi se kishte shitur kokainë në rini për të fituar para.

Në vitin 1999 ai u gjobit me 15 mijë paund për dëmtimin e reputacionit të lojës, ndërsa në vitin 2020, emri i tij doli sërish në gjyq kur një bordello në Holborn rezultoi se kishte marrë 10,500 paund nga karta e tij bankare, përfshirë një pagesë prej 7,550 paund drejtpërdrejt te një prostitutë rumune.

Pavarësisht këtyre skandaleve, jeta sportive e Dallaglios mbetet e lavdishme: 85 ndeshje me fanellën e Anglisë 22 si kapiten pjesë kyçe e fitores në Kupën e Botës 2003, pjesëmarrës në tre turne me British & Irish Lions, pesë tituj të Premiership-it dhe dy Kupa Evropiane me ekipin legjendar të Wasps.

Ai ka treguar se u motivua të ecë përpara pas vdekjes tragjike të motrës së tij, Francesca, në tragjedinë e anijes Marchioness në vitin 1989, ku humbën jetën 51 persona.

Ish-kampion, katolik i rritur në shkolla private, Dallaglio ka pasur një fëmijëri të pazakontë: këndoi në dasmën e Andrew Lloyd Webber dhe dha zë në këngën “We Don’t Need Another Hero” të Tina Turner-it. Ai ka performuar në skenë edhe përkrah Barry Manilow dhe në muzikalin “Evita”.

Pas tërheqjes nga sporti në vitin 2008, ai u angazhua në komentimin sportiv dhe ngriti fondacionin Dallaglio RugbyWorks, në ndihmë të të rinjve të përjashtuar nga sistemi arsimor. Ai ka grumbulluar miliona për bamirësi dhe është dekoruar me OBE për kontributin në sport dhe shoqëri.

Përkundër gjithçkaje, Dallaglio e përshkruante shtëpinë në Richmond si vendin më të lumtur të jetës së tij. “Do e mbyllja ditën ideale duke pirë shampanjë me Alice aty”, kishte thënë dikur.

Ndërsa ai përpiqet të rindërtojë jetën e tij, fqinjët kanë shprehur trishtimin për largimin e familjes. «Kanë qenë këtu për vite me radhë. I kemi parë të rrisin fëmijët e tyre në këtë shtëpi. Është vërtet për të ardhur keq që po ikin», tha një prej tyre.