Courtney Allan, një 26-vjeçare nga Kanadaja, po frymëzon rrjetet sociale me historinë e saj të pabesueshme të udhëtimit pa para. E reja, e cila fillimisht udhëtoi drejt Mbretërisë së Bashkuar në fund të vitit 2023 për një vizitë trejavore, vendosi të sfidojë veten duke udhëtuar përmes autostopit për shkak të çmimeve të larta të transportit publik.
Aventura e saj përfundoi duke përshkuar të gjithë kontinentin afrikan nga Maroku në Cape Town, Afrikë e Jugut, me më pak se 20 dollarë amerikanë (rreth 15 paund), të cilat shumicën e harxhoi për një traget në lumin Kongo. Gjatë një viti, ajo mori më shumë se 400 “lifts” përmes 16 vendeve, duke përshkuar mbi 8,000 milje nëpër çdo terren të mundshëm.
Nga Guangzhou në Mongoli pa harxhuar asnjë qindarkë
Pas kthimit të shkurtër në Kanada në dhjetor 2024, Courtney nisi një tjetër sfidë – këtë herë duke udhëtuar nga Guangzhou, Kinë, drejt Afrikës së Jugut, përsëri përmes autostopit. Aktualisht ndodhet në Rusinë qendrore dhe ka përshkuar tashmë mbi 5,000 milje pa shpenzuar asgjë për transport.
Në rrëfimin e saj për mediat britanike, ajo thotë se Mongolia është ndër vendet më të bukura që ka parë, ndërsa përvojat e saj e kanë ndihmuar të rritet në mënyrë “eksponenciale”.
“Udhëtimi përmes autostopit është një mënyrë intime për të parë botën”
Courtney thekson se kjo mënyrë udhëtimi e ka lidhur me kulturat dhe njerëzit vendas më shumë se çdo udhëtim turistik tradicional. “Kur udhëton me para, je në një flluskë. Por kur bën autostop, je me njerëzit që jetojnë aty. Mëson më shumë, ndihesh më pranë vendit”.
Ndër përvojat më të paharrueshme përmend një udhëtim me tren mallrash në shkretëtirën e Saharasë në Mauritani dhe një grua e fortë në Guinea që e ndihmoi duke e çuar jashtë rruge për ta ndihmuar.
Këshilla për gratë: “Besoni intuitën tuaj”
Edhe pse ka kaluar përmes 16 vendeve dhe ka marrë mbi 400 “lifts”, Courtney thotë se është ndjerë në rrezik vetëm një herë – gjatë një udhëtimi me taksi, jo gjatë autostopit. Këshilla e saj më e rëndësishme për gratë që udhëtojnë vetëm? “Besoni instinktit tuaj. Tri sekondat e para e tregojnë gjithçka”.
Tani, ndonëse thotë se ky mund të jetë udhëtimi i saj i fundit i madh përmes autostopit, ajo mendon se do të vazhdojë të udhëtojë kështu – dhe në të ardhmen, ndoshta edhe me biçikletë.












