Jeremy Meeks, i njohur si “Hot Felon” pas fotove të tij virale nga burgu në vitin 2014, ka përshkuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm – nga i burgosur për armëmbajtje pa leje, në model ndërkombëtar, aktor dhe tashmë aktivist e autor libri.
Pasi kaloi 27 muaj në burg federal, fama e tij u shpërtheu në rrjet pas publikimit të “mugshot”-it nga Policia e Stockton-it. Kjo i hapi dyert e botës së modës – nën menaxhimin e agjencisë White Cross, ai sfiloi për marka të njohura dhe nisi karrierë kinematografike. Por pas një periudhe në qendër të vëmendjes, Jeremy u tërhoq nga dritat e skenës për t’u përkushtuar ndaj një qëllimi më të lartë: ndihma për të rinjtë në rrezik dhe ish-të burgosurit për të rindërtuar jetën.
Nëpërmjet punës me organizata si WOSMOH dhe vizitave në qendra për të mitur, Meeks ndan historinë e tij për të frymëzuar të tjerët: “Do të çmendesha nëse nuk do punoja… puna më jep kuptim jetës,” thotë ai. Në mars 2024, ai publikoi autobiografinë “Model Citizen”, ku tregon betejat me varfërinë, dhunën dhe racizmin në SHBA, shoqëruar me 46 foto, përfshirë setet nga karriera e tij si model.
Jeremy është baba i dy fëmijëve: Jeremy Jr. me ish-bashkëshorten Melissa Meeks dhe Jayden me Chloe Green, vajza e miliarderit britanik Philip Green. Edhe pse lidhja me Chloe mori fund në vitin 2019, ata kanë mbetur prindër bashkëpunues dhe ruajnë marrëdhënie të mira.
Sot, Meeks vazhdon të punojë si dizajner mode dhe aktor – me disa filma të rinj në pritje për publikim – por mbi të gjitha, është kthyer në një zë për të rinjtë që rrezikojnë të ndjekin rrugën që dikur e çoi atë në burg. “Perëndia po bën gjëra të mrekullueshme në jetën time,” shkruan ai. “Qëndroni gjithmonë të lutur.”











