Direkt pas vizitës zyrtare në Gjermani, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të mos ndalet në Rinas si çdo qytetar i thjeshtë, por të zbresë në Shqipëri me stil përmes një helikopteri që ngjan më shumë me një mjet ushtarak, konkretisht tip Cougar, i përdorur zakonisht për misione ushtarake. Helikopteri është ulur pak minuta më parë në ish-fushën e aviacionit në Vlorë dhe më pas, i eskortuar me masa të forta sigurie, është drejtuar drejt kompleksit të vilave qeveritare në zonën e Ujit të Ftohtë, ku duket se shefi i qeverisë ka vendosur të nisë pushimet verore.
Zyra e Kryeministrit ende nuk ka dhënë detaje për qëllimin e kësaj vizite “ajrore” në Vlorë, ku duket se Rama ka nisur pushimet. Ndërkohë, qytetarët dhe pushuesit në zonë janë surprizuar nga ulja e papritur e helikopterit që ka sjellë në kujtesë lëvizjet e “pashallarëve” modernë që preferojnë fluturimet mbi trafik dhe popull.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama kritikohet për mënyrën luksoze të udhëtimeve. Vetëm pak kohë më parë, ai u komentua gjerësisht për përdorimin e një avioni charter luksoz, markë Gulfstream G IVSP, me numër regjistrimi TC-EMR, i cili nuk është në pronësi të shtetit shqiptar, por është marrë me qira me një kosto që varion nga 6,500 deri në 7,500 dollarë për orë fluturimi. Ndryshe nga liderët e tjerë perëndimorë, Rama duket se preferon lartësinë në të gjitha kuptimet.





