FLASH :

Nga burg për alkoolin te vilë 4.2 milionëshe pranë Mbretit: Tony Adams shet parajsën ku gjeti shpëtim nga vetja

Legjenda e futbollit Tony Adams ka nxjerrë në shitje vilën e tij luksoze në fshat, ku u tërhoq për të nisur një jetë të qetë pas periudhës së shfrenuar si futbollist.

Ish-kapiteni i Anglisë dhe Arsenalit, sot 58 vjeç, ka vendosur të ndahet nga prona me nëntë dhoma gjumi në zemër të Cotswolds, për të cilën po kërkon 4.25 milionë paund – më shumë se dyfishi i çmimit me të cilin e bleu mbi 20 vite më parë.

Adams e bleu pronën, e cila përfshin një pishinë të jashtme dhe fushë tenisi, menjëherë pasi u tërhoq nga futbolli në fund të një karriere 19-vjeçare si qendërmbrojtës i Arsenalit. “Mund të jetoj ku të dua për herë të parë dhe kam zgjedhur pak paqe. Gjithmonë kam qenë njeri i natyrës,” u shpreh ai në atë kohë.

Së shpejti pas zhvendosjes në fshat, ai u martua me Poppy Teacher, trashëgimtare e një familjeje të njohur uiski, dhe çifti u përshtat shpejt me jetën rurale në fshatin piktoresk jo larg rezidencës së Mbretit Charles në Highgrove.

Një rezidencë aristokrate me çdo luks

Prona shtrihet në mbi pesë hektarë tokë me kopshte të kuruara dhe pamje të mahnitshme të fshatit përreth. Në të përfshihet edhe një shtëpi më vete me dy dhoma gjumi dhe ish-stalla të pajisura me leje ndërtimi për akomodime shtesë.

Shtëpia kryesore ofron ambiente të shumta për argëtim, përfshirë një kinema private dhe dhomë lojërash me foto dhe kujtime të Arsenalit, përfshirë fanellën me numrin 6. Arkitektura klasike e përzier me stilin tradicional të Cotswolds e bën vilën një përzierje të hijshme mes elegancës dhe qetësisë.

Dhoma e gjumit kryesore ka një garderobë të madhe në stil futbolli dhe banjo private, ndërsa në total prona ka shtatë banjo dhe nëntë dhoma gjumi të shpërndara në tre kate.

Nga alkooli te qetësia familjare

Gjatë viteve, Adams ka ndarë në rrjete sociale momente të lumtura me Poppy dhe tre fëmijët e tyre – Atticus, Hector dhe Iris – si dhe fëmijët nga martesa e parë, Oliver dhe Amber, dhe vajzën njerke Clare.

E gjitha kjo përfaqëson një kthesë të madhe nga e kaluara e trazuar e Adams, që përfshinte 12 vite në spiralen e alkoolit, me arrestime, aksidente dhe sjellje të dhunshme. Në 1990, ai përfundoi në burg për 56 ditë pasi përplasi makinën duke qenë katër herë mbi kufirin ligjor të alkoolit.

Pavarësisht dënimit, ai vazhdoi të pinte dhe në vitin 1992 u martua me një kamarierë e varur nga droga. Ishte viti 1996 kur ai hoqi dorë përfundimisht nga pijet dhe në vitin 1998 publikoi autobiografinë e tij “Addicted”, që pati sukses të madh.

Me të ardhurat nga libri, themeloi në vitin 2000 fondacionin Sporting Chance, që ndihmon sportistët me probleme mendore dhe varësi.

Ndryshimet në pronë dhe… lakuriqët e natës

Në vitet në vijim, Adams dhe bashkëshortja investuan për ta bërë shtëpinë një parajsë familjare: ndërtuan një pishinë të jashtme me ambient për zjarr, një dhomë bilardoje dhe një shtesë me dy kate.

Në vitin 2023, ai kërkoi leje për ta kthyer ish-stallën në një aneks për të moshuar. Por u përball me një “pengesë natyrore”: një analizë ADN e jashtëqitjeve të më shumë se 300 lakuriqëve zbuluan praninë e tre llojeve të mbrojtura – përfshirë horseshoe dhe serotine. Zyrtarët e lejuan projektin vetëm pasi Adams ra dakord të ndërtonte një strehë alternative për lakuriqët në një garazh pranë.

Në një intervistë për Halloween-in në “Strictly Come Dancing”, ai tha: “Na hyjnë shumë lakuriqë në shtëpi. Jetojmë në fshat, por sërish më trembin.”

Jeta në fshat dhe emrat gazmorë të derrave

Familja e tij nisi edhe rritjen e derrave – të cilëve Adams, me humor, u vuri emra të frymëzuar nga spektakli televiziv: një u pagëzua “Katya” (në nder të partneres së tij në “Strictly”), ndërsa të tjerët “Claudia Winklepig” dhe “Anton du Pig”.

Pas dekadash në këtë rezidencë të mbushur me kujtime, Tony Adams është gati për kapitullin e radhës – por jo pa lënë pas një pasuri të madhe në fshat dhe një histori të pazakontë rikuperimi që frymëzon.