Neymar është pranë rikthimit të shumëpritur në fushë, më shumë se një muaj pasi pësoi një dëmtim në kofshë gjatë ndeshjes ndaj Atlético Mineiro. Sipas mediave braziliane, ylli i Santos pritet të jetë në dispozicion të trajnerit për përballjen e Kupës së Brazilit ndaj Clube de Regatas më 23 maj.
Lajmi ka ngjallur entuziazëm te tifozët dhe trajnerët, veçanërisht te Carlo Ancelotti, i cili pret të ndërtojë një kombëtare konkurruese për Botërorin 2026 dhe shpreson ta ketë Neymarin në formë si lider të “Seleçaos”.
32-vjeçari duket se e ka lënë pas dëmtimin dhe është i përqendruar tek objektivat në Brazil. Në 7 paraqitje që nga rikthimi i tij te Santos, ai ka regjistruar 3 gola dhe 3 asistime, duke dëshmuar se klasi i tij mbetet i padiskutueshëm, pavarësisht problemeve fizike.
Rikthimi në fushë shihet edhe si një hap vendimtar për rinovimin e kontratës së tij, që mund të zgjasë deri në Kupën e Botës 2026, ndërsa zërat për një rikthim në Evropë janë gjithnjë e më të zbehur.
Ky zhvillim konsiderohet jo vetëm si një përforcim për Santos, por si një dritë shprese për të gjithë futbollin brazilian që ende beson në ëndrrën e madhe: një Botëror i fundit me Neymar në krye.






