Katastrofa mjedisore që po ndodh prej katër ditësh në Elbasan ka kapur vëmendjen e gazetës prestigjioze amerikane The New York Times, e cila i ka kushtuar një artikull të posaçëm ndotjes alarmante që ka përfshirë qytetin shqiptar në kulmin e valës së të nxehtit afrikan që ka përfshirë Mesdheun.
Në qendër të raportimit është protesta e organizuar nga nisma “Qëndresa Qytetare”, e cila vendosi një pankartë me mbishkrimin “Ministri e Tymit dhe Ndotjes” në hyrje të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, një reagim simbolik ndaj mungesës së reagimit institucional për situatën e krijuar në fushën e mbetjeve në Elbasan dhe Vlorë. Aktivistët kanë denoncuar se institucionet përgjegjëse janë më të shqetësuara për renditjen e shezlongëve në plazhe sesa për shëndetin publik dhe mjedisin e qytetarëve.
Qëndresa Qytetare i ka bërë thirrje SPAK-ut që të marrë përsipër hetimin e zjarreve në fushat e mbetjeve, pasi sipas tyre, prokuroritë vendore nuk kanë kapacitetin dhe as pavarësinë për të zhvilluar hetime serioze. Ata kërkojnë zbardhjen e përgjegjësive, identifikimin e autorëve dhe transparencë mbi kontratat që lidhen me menaxhimin e mbetjeve në qytete të mëdha si Elbasani dhe Vlora.
Ky reagim shoqëror, i pasqyruar tashmë edhe nga një prej mediave më të mëdha në botë, e vë qeverinë shqiptare përballë një presioni të shtuar për të dhënë llogari mbi keqmenaxhimin e mbetjeve dhe për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.