Netflix ka publikuar dokumentarin më të ri të krimeve të vërteta, “Unknown Number: The High School Catfish”, i cili ka lënë pa fjalë miliona shikues falë një zbulimi tronditës dhe të papritur.
Dokumentari fokusohet tek adoleshentët Lauryn Licari dhe i dashuri i saj Owen McKenny nga Beal City, Michigan, të cilët në vitin 2020 filluan të merrnin mesazhe anonime të rënda, plot fyerje, kërcënime dhe përmbajtje seksuale. Mesazhet arrinin deri në 50 në ditë, duke përhapur frikë jo vetëm tek çifti, por edhe në gjithë shkollën e tyre.
Tekstet u bënë gjithnjë e më të dhunshme, duke përfshirë fyerje të rënda dhe thirrje për vetëvrasje ndaj Lauryn, e cila në atë kohë ishte vetëm 13 vjeç. Situata u përkeqësua aq shumë, sa që në prill 2022 FBI u përfshi për të zbuluar autorin përmes hetimeve kibernetike.
Pas muajsh hetimesh, doli në dritë një e vërtetë shokuese: personi pas këtyre mesazheve ishte vetë nëna e Lauryn-it, Kendra Licari, një nënë e angazhuar në PTA dhe trajnere basketbolli. Për gati dy vjet, ajo kishte përdorur aplikacione anonimizuese për të ngacmuar vajzën e saj.
Në dhjetor 2022, policia arrestoi Kendrën dhe konfiskoi pajisjet e saj elektronike. Ajo u akuzua për dy raste ngacmimi ndaj një të mituri dhe komunikim me qëllim kryerje krimi. Në vitin 2023, ajo u dënua me deri në pesë vite burg, por doli me kusht verën e kaluar. Pas kësaj, bashkëshorti i saj, Shawn Licari, e divorcoi dhe fitoi kujdestarinë e plotë të Lauryn.
Në dokumentar, Kendra përpiqet të shpjegojë veprimet e saj duke i lidhur me traumën e një përdhunimi që kishte përjetuar në moshën 17 vjeçare dhe me frikën e humbjes së kontrollit mbi vajzën e saj adoleshente. Por justifikimet e saj nuk bindën publikun, që e ka cilësuar rastin si “të neveritshëm” dhe “manipulues”.
Lauryn, nga ana tjetër, shprehet e shokuar:
“Nuk dija si të ndihesha. Trishtim, inat, çmenduri. Nuk mund ta besoja se ishte mamaja ime ajo që më thoshte të vrisja veten.”
Dokumentari është bërë viral në rrjete sociale si TikTok dhe Instagram, ku klipet e zbulimit tronditës kanë marrë miliona shikime që nga publikimi më 29 gusht.