Netflix ka përdorur për herë të parë efekte vizuale të krijuara nga inteligjenca artificiale gjenerative (AI) në një nga serialet e saj origjinale. Skena në fjalë është pjesë e serialit fantastiko-shkencor argjentinas The Eternauts, dhe tregon shembjen e një ndërtese në Buenos Aires.
Lajmin e konfirmoi bashkë-drejtuesi ekzekutiv i Netflix, Ted Sarandos, i cili theksoi se përdorimi i kësaj teknologjie ka ndihmuar në uljen e kostove dhe përshpejtimin e proceseve të prodhimit. “Për të realizuar këtë sekuencë me metodat tradicionale do të ishte e papërballueshme për një projekt me buxhet të tillë. Me AI, realizimi u bë dhjetë herë më shpejt,” deklaroi ai.
Debat në industrinë e argëtimit
Megjithatë, përdorimi i AI në përmbajtje filmike vazhdon të jetë një temë e diskutueshme në industrinë e argëtimit. Kritikat kryesore lidhen me faktin se teknologjia krijon përmbajtje të reja duke u mbështetur në punën ekzistuese të artistëve të tjerë, shpesh pa lejen e tyre. Një tjetër shqetësim i madh është frika se AI mund të zëvendësojë punonjësit njerëzorë, nga dizajnerët grafikë tek efektet speciale.
Këto shqetësime u bënë edhe më të zëshme gjatë grevës së vitit 2023 në Hollivud. Sindikata SAG-AFTRA kërkoi vendosjen e kufizimeve të qarta mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në industrinë e filmit dhe televizionit.
Netflix shënon rritje të të ardhurave
Komentet e Sarandos u bënë gjatë publikimit të rezultateve financiare të tremujorit të dytë të këtij viti. Netflix njoftoi një rritje prej 16% të të ardhurave, duke arritur në 11 miliardë dollarë, ndërsa fitimet u rritën nga 2.1 miliardë në 3.1 miliardë dollarë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një ndër faktorët kryesorë të kësaj rritjeje ishte suksesi i sezonit të tretë dhe të fundit të serialit jugkorean Squid Game, i cili ka arritur 122 milionë shikime deri më tani.
AI në shërbim të buxheteve më të vogla
Sarandos theksoi se teknologjia e AI-së do të mundësojë prodhimin e përmbajtjeve cilësore edhe për projektet me buxhete më të kufizuara. Ai shtoi se pamja e krijuar me AI në The Eternauts është e para e këtij lloji që shfaqet në një produksion origjinal të Netflix, dhe se krijuesit ishin të kënaqur me rezultatin përfundimtar.