Izraeli po përgatitet për një hap të madh ushtarak në Gaza, me kabinenti i sigurisë që pritet të vendosë për rimearrjen e plotë të kontrollit ushtarak mbi territorin, pas gati dy vitesh lufte intensive. Lëvizja do të shënonte një përshkallëzim të thellë të konfliktit, pavarësisht presionit ndërkombëtar, kundërshtimeve nga ushtria izraelite, dhe frikës për jetën e pengjeve të mbetura.
Në një intervistë për Fox News, kryeministri Benjamin Netanyahu konfirmoi synimin për të marrë kontrollin e plotë të Gazës. “Synojmë ta bëjmë,” u përgjigj ai kur u pyet drejtpërdrejt për një pushtim të plotë. Netanyahu deklaroi se objektivi i Izraelit është “largimi i Hamasit nga Gaza”, përpara se të instalohet një qeverisje civile që nuk është Hamas dhe që “nuk predikon shkatërrimin e Izraelit”.
Sipas një zyrtari izraelit me njohuri mbi planin, operacioni parashikohet të zgjasë rreth pesë muaj, gjatë së cilës rreth një milion palestinezë nga Gaza City dhe zona të tjera do të detyrohen të zhvendosen sërish në zonat jugore të enklavës. Ushtria izraelite do të ngrejë kampe të përkohshme për të strehuar valën masive të personave të zhvendosur.
Në kuadër të planit, Izraeli dhe SHBA pritet të shtojnë numrin e pikave të shpërndarjes së ndihmës humanitare të operuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) – një organizatë e kritikuar për paaftësi dhe përplasje politike – nga katër aktualisht në gjashtëmbëdhjetë.
Zyrtarët izraelitë shpresojnë se operacioni do të rrisë presionin mbi Hamasin dhe do të ndihmojë në lirimin e pengjeve të mbetura, por nuk përjashtohet mundësia e një pauze të ofensivës nëse Hamasi pranon të rikthehet në tryezën e negociatave.
Bisedimet e fundit, që filluan me pritshmëri pozitive, u shembën dy javë më parë, pasi SHBA dhe Izraeli tërhoqën delegacionet e tyre nga Katari. I dërguari amerikan Steve Witkoff akuzoi Hamasin për negociata në keqbesim, ndërsa Hamasi deklaroi se është i gatshëm të rikthehet në bisedime vetëm pasi të sigurohet një nivel i mjaftueshëm ndihme humanitare për Gazën.
Ky zhvillim rrezikon të thellojë më tej krizën humanitare dhe pasigurinë në një territor tashmë të rrënuar nga lufta dhe bllokada e vazhdueshme.