FLASH :

Netanyahu kërcënon me aneksim të Gazës nëse nuk arrihet armëpushim me Hamasin – mbështetje nga Trump për planin e ri

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se Izraeli do të nisë aneksimin e pjesëve të Rripit të Gazës, nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, raportojnë mediat izraelite.

Deklarata u bë gjatë një mbledhjeje të kabinetit të luftës të hënën, ku morën pjesë edhe ministri i Financave Bezalel Smotrich dhe ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir – dy figura ekstremiste të koalicionit qeverisës.

Sipas portalit izraelit Walla, Netanyahu ka paraqitur një plan të ri strategjik dhe politik, që shënon një kthesë nga qasja e mëparshme e Izraelit në luftën 20-mujore në Gaza. Ai ka theksuar se “Izraeli nuk do të presë pafundësisht” që Hamasi të përgjigjet për një armëpushim të përkohshëm të ndërmjetësuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti, Izraeli do të fillojë aneksimin e territoreve brenda Gazës, duke nisur me zonën e ashtuquajtur të “buffer”-it, më pas në veri pranë Sderot dhe Ashkelon, për të vijuar gradualisht me të gjithë territorin.

Sipas Haaretz, plani i Netanyahut gëzon mbështetjen e Donald Trump, ndërsa lëvizja shihet si një lëshim politik ndaj Smotrich, i cili prej muajsh kërkon shtrirjen e sovranitetit izraelit në Gaza.

Kabineti diskutoi gjithashtu krijimin e një trupi administrativ të posaçëm, i cili do të marrë kontrollin civil dhe të sigurisë mbi zonat e aneksuara.

Paralelisht, zyrtarët ushtarakë izraelitë nuk e kanë braktisur planin kontrovers të krijimit të një “qyteti humanitar” në jug të Gazës, ku pritet të përqendrohet popullsia palestineze në një zonë të mbyllur. Projekti është kritikuar gjerësisht dhe është krahasuar me një kamp përqendrimi, si hap paraprak për dëbimin e palestinezëve nga territori.

Sipas burimeve izraelite, punimet infrastrukturore në zonën e Rafahut kanë nisur për këtë projekt të ndjeshëm dhe të shumëkritikuar ndërkombëtarisht.