Parlamenti grek miratoi sot një ligj që ashpërson dënimet për azilkërkuesit e refuzuar dhe përshpejton kthimin e tyre në vendet e origjinës
Pavarësisht kritikave të shumta nga Komisioneri i Lartë për Refugjatët, Avokati i Popullit Grek, Unioni i Gjyqtarëve Administrativë dhe një numër OJQ-sh për të drejtat e njeriut, ligji u miratua nga shumica e partisë konservatore në pushtet, Demokracia e Re (ND), partisë nacionaliste Niki dhe deputetëve të pavarur të ekstremit të djathtë pas një debati të nxehtë në parlament që filloi të martën.
Të gjitha partitë e majta të opozitës votuan kundër ligjit.
Ligji përcakton se migrantët pa dokumente që hyjnë nga vende të treta që BE i konsideron “të sigurta” dhe që nuk kanë të drejtë azili, duhet të kthehen në vendet e tyre ose të mbahen në burg për të paktën 24 muaj, duke u përballur gjithashtu me gjoba deri në 10 mijë euro.
Azilkërkuesit të cilëve u refuzohet kërkesa dhe nuk largohen nga vendi brenda 14 ditësh do të përballen me dënime me burg nga dy deri në pesë vjet. Masat ndëshkuese do të ashpërsohen gjithashtu: personat që mbërrijnë pa dokumentacionin e duhur do të mbahen në paraburgim për 24 muaj, nga 18 muaj që parashikon aktualisht ligji, ndërsa migrantët e parregullt që kanë jetuar në Greqi për shtatë vjet nuk do të kenë më të drejtën për të legalizuar statusin e tyre, shkruan media .
Ky legjislacion shënon një tjetër ashpërsim të politikave të migracionit nën qeverinë konservatore të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Administrata e tij ka ngritur një gardh në kufijtë veriorë të Greqisë dhe ka shtuar patrullimet detare për të ndaluar hyrjet e migrantëve që nga ardhja në pushtet në vitin 2019.
Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, i tha parlamentit të martën se të drejtat e grekëve për të mbrojtur vendin e tyre janë më të mëdha se të drejtat e një personi që i është refuzuar azili dhe që qëndron ilegalisht në Greqi.
Gjatë fjalimit në Parlament, ai tha se sipas projektligjit të ri për migracionin, migrantët që nuk kanë të drejtë azili do të përballen ose me kthim vullnetar, ose me paraburgim.
“Ne nuk do të lejojmë më që disa të vonojnë procedurat dhe të përfitojnë leje qëndrimi pas shtatë vitesh qëndrimi në Greqi. Zgjedhja e vetme që do të kenë është: ose të shkojnë pesë vite në burg pa pezullim, ose të kthehen mbrapsht,” u shpreh ai, shkruan Kathimerini.
Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) paralajmëroi se ligji rrezikon të ndëshkojë migrantët që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. Ai sugjeroi se futja e procedurave të përshpejtuara të azilit mund të ndihmojë në identifikimin e shpejtë të refugjatëve dhe jo-refugjatëve, duke u dhënë trajtimin përkatës administrativ.
Greqia tha se ka kthyer qindra migrantë të parregullt pas pezullimit të kërkesave për azil në korrik dhe planifikon më shumë fluturime drejt Pakistanit, Bangladeshit dhe Egjiptit për kthimin e migrantëve gjatë këtij muaji.
Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar Athinën se ka penguar me forcë kalimin e azilkërkuesve në kufijtë tokësorë dhe detarë. Këtë vit, agjencia kufitare e Bashkimit Europian njoftoi se po shqyrton 12 raste të mundshme shkeljesh të të drejtave të njeriut nga Greqia.