Ish-anëtarja e Danity Kane përballë gjykatës: “E pashë me sytë e mi si godiste Cassie-n – droga, armë dhe kërcënime me vdekje”
Gjyqi kundër Sean “Diddy” Combs vazhdon të marrë përmasa tronditëse, me dëshmi gjithnjë e më të rënda për dhunë, trafik droge dhe shantazh. Këngëtarja Dawn Richard, ish-anëtare e grupit Danity Kane, zuri vendin e saj në sallën e gjyqit duke dëshmuar kundër ish-menaxherit të saj.
Richard deklaroi se kishte dëgjuar vetë nga Diddy: “Nëse nuk bëhet puna ime, njerëzit zhdukeshin” – frazë që sipas saj nënkuptonte kërcënim me vdekje. Kjo përforcon pretendimet që ish-partnerja e Diddy-t, Cassie Ventura, kishte bërë javën e kaluar për dhunë dhe abuzim sistematik.
Dawn tregoi se kishte parë personalisht Diddy-n teksa e tërhiqte zvarrë Cassie-n, e shqelmonte dhe e godiste me grusht në fytyrë. Sipas saj, shpërthimet e dhunës nxisnin kur Cassie “fliste për veten”.
Një incident i vitit 2009 u përshkrua me detaje: pas një goditjeje që i shkaktoi ënjtje në sy, Cassie u detyrua të mbante syze në një event publik, ndërsa Dawn bëri të njëjtën gjë “në shenjë solidariteti”.
Droga, armët dhe kontrolli absolut
Dëshmia e këngëtares përfshiu edhe referenca për drogë dhe armë. Diddy, sipas saj, mbante gjithmonë me vete një çantë Louis Vuitton të mbushur me kokainë, MDMA, hashash, ketaminë dhe madje edhe pilula Plan B. Armët, ndërkohë, ishin të pranishme në çdo moment – në brezat e Diddy-t dhe truprojave të tij, D-Roc dhe Bonds.
Richard e përshkroi një klimë frike: “Nëse ai e bënte këtë ndaj një njeriu që pretendonte ta donte, çfarë mund t’i bënte një punonjësi?” – një ndjesi që e shtyu të distancohej dhe të kërkonte mbrojtje.
Mbrojtja: “S’ka prova të drejtpërdrejta”
Avokatja e Diddy-t, Nicole Westmoreland, u përpoq të minonte besueshmërinë e dëshmitares, duke theksuar se ajo nuk kishte deklaruar më herët kërcënimet për vdekje, dhe se nuk e kishte parë kurrë reperin duke armatosur një armë apo duke paguar një trafikant droge.
Por dëshmia e Dawn Richard është vetëm një nga shumë zëra që po hedh dritë mbi anën e errët të një prej figurave më të fuqishme të industrisë muzikore.
Gjyqi vazhdon, ndërsa rrëfimet që dalin në dritë e kthejnë këtë proces në një pasqyrë të frikshme të abuzimit të pushtetit në muzikë, ku fama dhe paratë janë përdorur për të mbuluar krime.