Prokuroria e Dibrës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Islam Metës, 64-vjeçarit që ekzekutoi me armë gjahu rreth një vit më parë Petrit Kukën, si shenjë hakmarrje pasi ky i fundit i kishte plagosur të bijën.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Dibër, kërkon deklarimin fajtor dhe dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit I.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i Kodit Penal, në dëm të viktimës P.P.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.27, regjistruar më datë 22.01.2024, rezultoi se shtetasi I.M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin P. P. i cili ishte duke ecur në fshatin Vig me një tjetër person. Sapo ka kryer aktin, ai ka lajmëruan policinë dhe u largua drejt banesës së tij.
Djali i autorit, ka sqaruar se babai i tij kishte konflikt të vjetër me këtë shtetas pasi ai i kishte plagosur me armë vajzën e tij, si dhe vajzën e vëllait, veprim për të cilin ai u dënua me 12 vite burgim. Për këtë konflikt, megjithëse viktima kishte kryer dënimin palët nuk ishin pajtuar. Madje, kohët e fundit, para 3-4 muaj para se të ndodhte vrasja, shtetasi I.M. i dërgoi mesazh nëpërmjet dajës së tij, që viktima të mos shkonte më në fshat se nëse do t’i dilte para do ta vriste.
Sa më sipër, rezultoi e provuar se i pandehuri I.M. ka konsumuar tërësisht elementet e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i Kodit Penal, e provuar nga kryerja e veprimeve hetimore. Motivi i kësaj ngjarje kriminale është hakmarrja, pasi viktima ka qëlluar dhe plagosur vajzën e të pandehurit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Dibër kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit I.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/2 i Kodit Penal, në dëm të viktimës P.P. dhe dënimin e të pandehurit me burgim të përjetshëm.