FLASH :

Nënë e bijë arrestohen në Nju Jork pasi sulmuan një studente për një vend parkimi dhe përdorën fyerje raciste

Një nënë dhe vajza e saj janë arrestuar në Ridgewood, Queens, pasi sulmuan brutalisht një studente për shkak të një vendi parkimi të “ruajtur”. Andreea Dumitru, 45 vjeç, dhe Sabrina Starman, 21 vjeç, akuzohen për sulm fizik ndaj Jada McPherson, 21 vjeç, studente në Pace University. Konflikti nisi pasi McPherson tentoi të parkojë në një vend që ishte bllokuar me një kosh plehrash nga një burrë, i cili së bashku me nënën dhe vajzën, po përpiqej ta mbante të zënë vendin.

Sipas dëshmisë së viktimës dhe pamjeve filmike, pas një përplasjeje verbale ku u përdorën fyerje raciste të rënda si “majmun” dhe “skllave”, vajza nisi sulmin fizik duke e tërhequr McPherson nga flokët dhe goditur me grushte. Sulmit iu bashkua edhe nëna dhe burri i tretë. Viktima u trajtua nga shërbimet emergjente në vendngjarje, ndërsa fqinjët konfirmuan se familja në fjalë kishte kohë që krijonte probleme duke tentuar të “rezervonte” vende parkimi në mënyrë të paligjshme. Të dyja gratë u arrestuan dhe u akuzuan për sulm të shkallës së parë dhe ngacmim të shkallës së dytë. McPherson, e traumatizuar nga ngjarja, njoftoi se do të largohet nga lagjja.