FLASH :

Nëndetësja bërthamore ruse në rrezik shpërthimi në ujërat e detit Mesdheu

Një nëndetëse bërthamore Marinës Ushtarake të Rusisë është në rrezik shpërthimi në ujërat e detit Mesdhe për shkak të një rrjedhjeje të rëndë karburanti, sipas raportimeve të fundit.

Bëhet fjalë për nëndetësen 74 metra të gjatë të klasit ‘Kilo’, me emrin ‘Novorossiysk’, e cila ka kapacitet për të mbajtur raketa të tipit Kalibr. Anija u vu re së fundmi në ngushticën e Gjibraltarit, në hyrje të Detit Mesdhe, ku po has vështirësi teknike të konsiderueshme.

Sipas kanalit rus në Telegram VChK-OGPU, anija nuk ka pjesë rezervë për riparime dhe as specialistë të kualifikuar për të përballuar problemin. Rrjedhja e karburantit po grumbullohet brenda nëndetëses, dhe ekuipazhi mund të detyrohet ta derdhë atë në det për të shmangur një katastrofë.

Nëndetësja është pjesë e flotës së Detit të Zi të Rusisë, por nuk besohet se është përfshirë në luftën në Ukrainë, raportoi tabloidi britanik The Sun.

Më herët gjatë këtij viti, helikopterë dhe një anije luftarake e Marinës Mbretërore Britanike e ndoqën këtë nëndetëse teksa kalonte nëpër ujërat britanike në Detin e Veriut dhe Kanalin Anglez.

Image

Sisteme dhe sensorë të fuqishëm u përdorën për të ndjekur çdo lëvizje të saj nën ujë.

Komandanti i Marinës Britanike, Dan Wardle, tha se operacioni ishte pjesë e ruajtjes së ‘interesave detare të Mbretërisë së Bashkuar’.

Flota e Detit të Zi ka pësuar goditje të mëparshme. Një tjetër nëndetëse ruse, Rostov-na-Donu, u godit nga një raketë ukrainase në shtator të vitit 2023, duke u dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme.

Incidentet me anije luftarake ruse nuk janë të reja.

Në gusht të vitit 2000, nëndetësja bërthamore K-141 Kursk u mbyt në Detin Barents pas një shpërthimi katastrofik, ku humbën jetën të gjithë 118 anëtarët e ekuipazhit. Tragjedia u përkeqësua nga fakti se kërkimet për anijen nuk nisën deri 6 orë pas incidentit.

Autoritetet ndërkombëtare janë në alarm për rrezikun potencial që nëndetësja ‘Novorossiysk’ paraqet për mjedisin dhe sigurinë detare në Mesdhe.