FLASH :

“Nënat britanike duhet të pranojnë se djemtë e tyre do të vdesin për të mbrojtur Finlandën, përndryshe NATO nuk ekziston më”: Paralajmërimi i ftohtë mes frikës se Putini do të testojë vendosmërinë e Europës

Ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës ka dhënë një paralajmërim të ftohtë: nëse nënat britanike nuk pranojnë që djemtë e tyre të sakrifikohen për të mbrojtur vendet aleate si Finlanda, NATO është e pavlefshme.

Dmytro Kuleba, që mbajti detyrën nga marsi 2020 deri në shtator 2024, tha për Metro se qëllimi i Vladimir Putinit është “të nxjerrë zbuluar mashtrimin” e NATO-s – një aleancë që premton ndihmë të ndërsjellë në rast se një vend anëtar sulmohet.

“Putini mund të pushtojë një territor të NATO-s së shpejti – dhe pastaj çfarë? A do të dërgojë NATO një divizion ushtarësh për të kundërsulmuar?”, pyeti ai.

“Shumë mendojnë se testi i vërtetë për NATO-n është nëse SHBA do të luftojë për Europën. Por testi real do të jetë: a do ta pranojnë nënat britanike që djemtë e tyre të vdesin për Finlandën, Estoninë apo Poloninë? Nëse jo, atëherë NATO nuk ekziston.”

Ky paralajmërim i zymtë vjen pas deklaratave të shefit të shërbimit sekret gjerman, i cili paralajmëroi se Putini po planifikon të sulmojë një territor të NATO-s për të testuar nenin 5 të traktatit, që detyron anëtarët të mbrojnë njëri-tjetrin në rast sulmi.

“Kështu nisi Lufta e Dytë Botërore. ‘Pse të luftojmë për Danzig? Le t’ia japim Hitlerit, është thjesht një qytet polak’. Kjo ishte pyetja që bënin vendet e Europës Perëndimore. Dhe e njëjta pyetje do të bëhet sot nga Putini.”

Kuleba shtoi se Europa po shpenzon tashmë për armatime, por shumë ngadalë. “Por pyetja e vërtetë është: kush do t’ua thotë votuesve që kërcënimi i luftës është real?”

Ai tha se paralajmërimi i tij buron nga përvoja personale si ministër gjatë pushtimit rus të Ukrainës. “Bëra gabimin që besova se Rusia do të tërhiqej pasi të humbiste 10.000 ose 20.000 ushtarë. Por tani që Rusia po i afrohet një milion ushtarëve të vrarë apo të plagosur, britanikët nuk duhet ta nënvlerësojnë Putinin.”

“Njerëzit në Britani mund të më dëgjojnë ose mund të mendojnë se jam një ukrainas luftënxitës që po përpiqet t’i tërheqë në luftën time. Jam në rregull me çdo zgjedhje që bëjnë. Por ajo që mund t’u them është: mos përsëritni gabimin tonë.”

“Gabimi më i madh që bëri Ukraina ishte që nuk besoi se një pushtim i tillë do të ndodhte në këtë shkallë. Edhe ne menduam: ‘Putini nuk do të guxojë ta bëjë.’ Kjo është ajo që shumë mendojnë sot në Europë. Por nëse Ukraina arrin të sulmojë bazat ajrore 1.000 km brenda territorit rus, mendoni vërtet që Rusia nuk mund të godasë ndonjë infrastrukturë europiane? Do ishte gabim i madh të besohej kjo.”

Ndërkohë, Bruno Kahl, kreu në largim i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Gjermanisë (BND), në një intervistë të rrallë deklaroi se ka prova konkrete që Rusia nuk beson më se neni 5 i NATO-s do të zbatohet.

“Shohim që NATO është në rrezik të testohet në premtimin për ndihmë të ndërsjellë. Ka njerëz në Moskë që nuk besojnë se neni 5 funksionon më”, tha ai për podcast-in Table Briefings.

Sipas tij, pushtimi i Ukrainës ishte vetëm një hap në rrugën e Rusisë drejt Perëndimit. Megjithatë, ai sqaroi se nuk pritet një pushtim i drejtpërdrejtë me tanke – Rusia mund të përdorë metoda të tjera, si “njerëzit e vegjël të gjelbër” për të ndërhyrë në shtete baltike si Estonia, duke pretenduar mbrojtjen e pakicave ruse.

Në vitin 2014, Rusia aneksoi Krimenë duke dërguar forca speciale pa uniforma zyrtare, të njohura si “të vegjëlit e gjelbër”.

Qëllimi përfundimtar i Kremlinit, tha Kahl, është të shtyjë NATO-n mbrapa në kufijtë e viteve 1990, të përzë SHBA-në nga Europa dhe të zgjerojë agresivisht ndikimin e saj. “Duhet ta ndalojmë këtë që tani,” tha ai, duke shtuar se partneriteti me SHBA-në është jetik për NATO-n.

Sipas tij, SHBA e merr kërcënimin rus po aq seriozisht sa Europa.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi britanikët se “mund të kenë nevojë të mësojnë rusisht” nëse nuk rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Ai ishte në Londër për takime me kryeministrin Keir Starmer, përpara samitit të NATO-s që pritet këtë muaj. Rutte propozoi që aleatët të angazhohen për të shpenzuar 3.5% të PBB-së për mbrojtje deri në vitet 2030, plus 1.5% të tjera për shpenzime të lidhura me mbrojtjen – gjithsej 5%.

Britania aktualisht shpenzon 2.33% të PBB-së për mbrojtje, ndërsa qeveria e Keir Starmer ka premtuar që do e çojë në 2.5% deri në prill 2027. Plani afatgjatë është të arrihet 3% gjatë mandatit aktual.

I pyetur nëse Ministrja e Financave Rachel Reeves duhet të rrisë taksat për të financuar këtë objektiv, Rutte tha: “Nuk është puna ime si do e paguani. Por nëse nuk e bëni, mund të keni ende NHS-në dhe pensionet… por do ishte mirë të mësonit rusisht.”

Ai nuk dha një afat të qartë për zbatimin e objektivit 5%, duke shtuar se diskutimet me aleatët janë ende në zhvillim.