FLASH :

Nën efektin e drogës tentoi të arratisej, 29-vjeçari përplas me makinë dy policë në Tiranë

Një 29-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi aksidentoi dy efektivë gjatë një tentative për t’i shpëtuar kontrollit policor, ndërsa ishte nën efektin e drogës.

Tentoi të arratisej, përplasi makinën e policisë

Ngjarja ndodhi në afërsi të Komisariatit Nr. 1, pasi shërbimet e rendit kishin marrë informacion se i riu mund të kishte lëndë narkotike në automjet. Sapo ka parë efektivët që po afroheshin, ai ka shtuar shpejtësinë, duke përplasur një automjet të policisë dhe duke lënduar dy punonjës, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital.

Pas ndalimit të tij, policia konstatoi se 29-vjeçari ndodhej nën ndikimin e lëndëve narkotike. Lënda nuk u gjet në makinë, por gjatë kontrollit të banesës iu sekuestrua një sasi kanabisi.

Arrestimi dhe akuzat

“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 u arrestua shtetasi S. Xh., 29 vjeç, për drejtim mjeti nën ndikimin e drogës, aksidentim të punonjësve të rendit dhe posedim të lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për hetime të mëtejshme, ndërsa ngjarja po hetohet edhe në aspektin e rrezikimit të jetës së punonjësve të policisë në detyrë.