Një video tronditëse e postuar në TikTok tregoi momentin kur një çift braktisi fëmijën e tyre për të hipur në një atraksion në Disneyland.
Përdoruesja e TikTok-ut, @keesha4rank, një nënë e tre fëmijëve, tha se ishte në parkun në Kaliforni kur vuri re një karrocë të pambikëqyrur të parkuar pas një muri muajin e kaluar.
Ajo mbeti e shokuar kur papritur pa lëvizje nën një batanije me tematikë Spider-Man, e cila ishte hedhur mbi karrocë.
“Pse do ta linte dikush foshnjën e tij në karrocë ndërsa shkonte për të hipur në atraksion?” tha gruaja në videon e datës 18 shkurt, përpara se të kthente kamerën drejt karrocës pas saj. “Ka një foshnjë aty brenda. Fëmija i dikujt është aty.”

Ajo pretendoi se prindërit e fëmijës kishin shkuar për të hipur në atraksionin Guardians of the Galaxy, i cili ndodhej përballë shëtitores që dukej në video.
Ajo shtoi se një nga baballarët në zonë mendoi se do të ishte një ide e mirë të “vendoste një karrige aty për të bllokuar atë anë”.
Gruaja shpjegoi në komentet e videos se ajo dhe të tjerë e raportuan fëmijën e braktisur tek një punonjës i parkut, i cili ndërhyri dhe kontrolloi gjendjen e foshnjës.
Nuk ishte e qartë se çfarë ndodhi me foshnjën apo prindërit e saj, ndërsa dëshmitarja raportoi se nuk ishte përfshirë policia në momentin e filmimit.
Atraksioni Guardians of the Galaxy ka një kërkesë për lartësinë minimale prej 40 inç (rreth 102 cm), por edhe nëse fëmija ishte shumë i vogël për të hipur, ai është një nga atraksionet që ofron opsionin Rider Switch.
Ky opsion u lejon prindërve me fëmijë të ndërronin rolet mes tyre: njëri hipën në atraksion ndërsa tjetri pret me fëmijën. Prindi që pret nuk është i detyruar të kthehet në fund të radhës për të hipur më vonë.
Sipas faqes zyrtare të Disneyland-it, shumica e atraksioneve në park ofrojnë këtë opsion Rider Switch.
Videoja e fëmijës së braktisur arriti gati një milion shikime dhe mbi 3,000 komente.
Komentuesit u tronditën nga fakti që dikush do ta linte fëmijën e tij në diell për aq kohë sa mund të kishte ndodhur.
“Guardians zakonisht ka një pritje prej 60 deri në 80 minuta. Pra, ata kishin planifikuar ta linin atë foshnjë të paktën për mbi një orë,” shkroi një person.
“Kjo është absolutisht e çmendur. Nuk më intereson sa ‘i sigurt’ është Disney, unë kurrë nuk do t’i lija fëmijët e mi të pambikëqyrur,” shkroi një tjetër.
“Unë nuk do ta lija as djalin tim 11-vjeçar të shkonte vetëm në tualet atje. Jam pa fjalë… si është e mundur kjo?” komentoi një i tretë.