Ari Mahmod, burri që po vuan një dënim me burg të përjetshëm për rolin e tij në vrasjen famëkeqe të nderit të mbesës së tij Banaz Mahmod, ka paditur rrjetin televiziv britanik ITV për shpifje, duke pretenduar se është dëmtuar nga akuzat se ka lejuar përdhunimin e saj.
Në një seancë në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar, Mahmod, 69 vjeç, i cili po përfaqëson vetë veten, pretendoi se akuzat për përdhunim janë “shkatërruese” për reputacionin e tij brenda komunitetit islamik, ndonëse ai vetë e pranoi se “vrasja është e pranueshme në kulturën time pasi të kesh vuajtur dënimin”. Ai po kërkon dëmshpërblim për mënyrën si është paraqitur në serialin “Honour” të vitit 2020 dhe dokumentarin “Exposure: Banaz – An Honour Killing”.
Banaz Mahmod u vra në vitin 2006 nga babai dhe xhaxhai i saj, pasi la një martesë të dhunshme të organizuar dhe ra në dashuri me një tjetër burrë. Ajo ishte vetëm 20 vjeçe kur u vra, pasi paraprakisht kishte raportuar disa herë në polici se familja po kërcënonte jetën e saj. Megjithatë, autoritetet nuk ndërhynë. Trupi i saj u gjet i futur në një valixhe dhe i groposur në kopshtin e një banese të braktisur në Birmingham.
Megjithëse i dënuar për vrasje, Mahmod pretendon se nuk kishte lidhje me përdhunimin e Banaz nga kushërinjtë e saj dhe se kjo akuzë ka sjellë pasoja të rënda për të dhe familjen e tij. ITV ka mbrojtur punën e saj, duke theksuar se pretendimet për dëmtim reputacioni janë të pabaza për një person të dënuar për një krim të tillë brutal. Një vendim për këtë çështje pritet muajin e ardhshëm.