Në pritje të armëpushimit? Trump dhe Putin zhvillojnë sot bisedë kritike për Ukrainën

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai amerikan Donald Trump do të zhvillojnë sot më 19 maj bisedën e tyre të tretë për vitin 2025, konfirmoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Biseda telefonike do të mbahet në orën 10:00 të mëngjesit sipas kohës së Uashingtonit (17:00 në Moskë dhe 14:00 GMT).

Trump njoftoi në platformën e tij Truth Social se temë kryesore e diskutimit do të jetë çështja e luftës në Ukrainë dhe marrëdhëniet tregtare. Ai shtoi se pas kësaj bisede me Putinin, do të zhvillojë telefonata të ndara me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si dhe me udhëheqësit e NATO-s.

Lidershipi evropian kërkon kontakte para bisedës me Putinin

Burime diplomatike raportojnë se liderë të rëndësishëm evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, kanë shprehur interes për të kontaktuar me Trump përpara takimit të tij me presidentin rus.

Bisedat e mëparshme Trump–Putin dhe sinjalet për një armëpushim të mundshëm

Biseda e fundit mes dy liderëve u zhvillua më 18 mars dhe u fokusua te konflikti në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe marrëdhëniet SHBA–Rusi. Gjatë asaj bisede, Putin mbështeti idenë e Trump për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë, por vetëm me kushte të caktuara, përfshirë ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase dhe ndërprerjen e përdorimit të raketave ruse.

Më herët, më 12 shkurt, dy liderët ranë dakord të mbajnë kontakte të rregullta dhe të përgatisin një takim të mundshëm ballë për ballë. Trump ka shprehur hapur dëshirën për një samit të tillë sa më shpejt të jetë e mundur, duke theksuar rolin e tij si ndërmjetës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.