FLASH :

Në kulmin e sezonit Saranda prej 6 ditësh pa ujë

Në kulmin e një vale të nxehti me temperatura deri në 38°C, Saranda po përballet me një krizë të rëndë të furnizimit me ujë të pijshëm, që ka lënë pa ujë për gjashtë ditë disa nga lagjet kryesore të qytetit. Lagjja nr. 3 (rruga “Gjergj Arianiti”), lagjja nr. 4 në Kodër, rruga e Bashkisë dhe rruga e 5-të janë ndër zonat më të prekura, ku banorët thonë se jetesa është bërë e pamundur në mes të sezonit turistik.

Banorët akuzojnë drejtorin e ujësjellësit, Amardo Goxharaj, dhe përgjegjësin lokal, Alban Alikaj, për favorizim të hoteleve private, të cilave u sigurohet furnizim i përhershëm me ujë në këmbim të pagesave të paligjshme, ndërsa qytetarët detyrohen të mbushin ujë me bote për nevojat më bazike. “Nuk kemi si të lahemi, si të gatuajmë, ndërkohë hotelet e mëdha kanë ujë pa ndërprerje,” — tha një banore e lagjes nr. 4. Turistë të huaj kanë shprehur zhgënjimin për mungesën e ujit në hotele dhe apartamente, duke e cilësuar përvojën të papranueshme për një destinacion që synon standardet europiane.

Pavarësisht indinjatës masive, as Bashkia e Sarandës dhe as ndërmarrja e ujësjellësit nuk kanë marrë masa për zgjidhjen e situatës, e cila po dëmton drejtpërdrejt imazhin turistik dhe ekonominë e zonës. Banorët kërkojnë veprim të menjëhershëm për rikthimin e furnizimit të rregullt dhe të barabartë me ujë.