FLASH :

Në emër të kujt lufton Irani?

Nga Maksi Çami

Më 17 qershor, Ayatollah Ali Khamenei shpërndau një mesazh tronditës në rrjetet sociale: “Lufta fillon në emër të Haidar të ndritur.” Për shumicën e ndjekësve perëndimorë, ky mund të tingëllojë si një fjalë kalimtare, por për ata që kuptojnë gjuhën simbolike të regjimit iranian, kjo nuk është thjesht retorikë: është një shpallje lufte me ngarkesë të thellë fetare, historike dhe ideologjike. Fjala “Haidar” është një epitet i Ali ibn Abi Talib, një figurë qendrore në Islamin shiit, kushëririt dhe dhëndrit të Profetit Muhamed (SAWS). Ajo përkthehet si “luan”, duke simbolizuar trimëri, sakrificë dhe drejtësi hyjnore. Në këtë kontekst, “Haidar i ndritur” është shumë më tepër se një metaforë: është një kod për luftë të shenjtë, një mobilizim teologjik që vendos luftën aktuale në vijë me mitologjinë e drejtësisë dhe martirizimit shiit.


Kjo frazë nuk është “Bismilah” pra “Në emër të Allahut”, siç do të pritej nga shumica e myslimanëve në botë. Ajo është devijim nga Islami tradicional, duke e zhvendosur përqendrimin nga Zoti drejt një njeriu të mitizuar, Aliut, dhe kështu përforcon karakterin sektar, madje idhujtar të regjimit shiit iranian. Kur një udhëheqës suprem e njofton nisjen e luftës në këtë mënyrë, ai nuk shpall vetëm një betejë fizike kundër Izraelit. Ai shpall një betejë mesazhi, një “xhihad të drejtësisë hyjnore” që përfshin ndjekësit besnikë si ushtarë të një kauze të përjetshme, të shenjtë dhe të paprekshme.
Pas këtij paralajmërimi, ndodhën edhe aktet konkrete: raketa iraniane mbi Izraelin, sulme ajrore izraelite mbi qendra strategjike në Iran, një shkallëzim që ndonëse ende i kufizuar në territor, është i pakufizuar në pasoja. SHBA nuk është përfshirë ende drejtpërdrejt në goditje, por mbështetja politike dhe logjistike për Izraelin është e hapur. Trump paralajmëroi se çdo kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj interesave amerikane do të përballej me “përgjigje të plotë”. Nga ana tjetër, Irani po përgatitet për luftë të gjatë jo vetëm me raketa, por sidomos me narrativë fetare sektare.


Precedentët historikë na mësojnë që luftërat e mëdha nuk nisin gjithmonë me deklarata bombastike, por me përplasje të “vogla” që nxehen gradualisht. Tani, në këtë moment, ndodhemi pikërisht në atë fazë: ku retorika është e skajshme, ndërsa aksionet janë të kalibruara. Irani i dobësuar ekonomikisht, por me rrjet të gjerë aleatësh rajonalë (Hezbollah në Liban, Houthit në Jemen, milici shiite në Irak) duket se është i gatshëm të ndezë më shumë se një front.


Në fund të fundit: a po fillon vërtet lufta? Ende jo. Por çdo orë që kalon, çdo dron që lëshohet, çdo fjalë që thuhet me më shumë zjarr sesa mençuri e sjell më afër një pikë pa kthim. Çfarë mund të bëjmë ne, shqiptarët një vend i vogël në cep të Evropës? Të mos jemi indiferentë. Të jemi vigjilentë. Por jo duke kërcënuar Iranin me gojën e Presidentit të Republikës. Mbi të gjitha, të mos ushqehemi me iluzionin se luftërat moderne ndodhin “larg nesh”. Sepse bota e sotme nuk është më një hartë me kufij gjeografikë. Është një sistem nervor global, ku çdo dhimbje, çdo krizë, çdo luftë na prek të gjithëve.


Shqipëria, në një pozicion të qartë pro-perëndimor dhe aleate strategjike e SHBA-së, nuk është dhe nuk pritet të jetë pjesë direkte e konfliktit. Por kjo nuk do të thotë se jemi imunë. Përfshirja e SHBA-së në një përballje të hapur me Iranin do të kishte pasoja globale: Çmimet e karburanteve dhe energjisë do të rriteshin progresivisht. Emigracioni dhe pasiguria në Lindjen e Mesme do të rriteshin, duke prekur drejtpërdrejt shqiptarët që jetojnë e punojnë në Europë, ku nuk do të jenë më ata krahu i lirë i punës apo azilantët emergjentë. Frika e përshkallëzimit bërthamor do të përhapej në çdo cep të botës, përfshi Ballkanin. Dhe përtej këtyre, ekziston edhe një nivel më simbolik: ideja e përplasjes së qytetërimeve, një botë e ndarë mes perëndimit liberal dhe një bote tjetër të përçarë mes autokracive teokratike dhe nacionalizmave të dhunshëm. Prandaj, pyetja nuk është nëse lufta do të vijë. Por nëse ne jemi të përgatitur ta kuptojmë kur ajo nis.