Edhe pse kishte dalë si gangster se do të mbyllte Tik Tokun kinez, kryeministri Edi Rama është tërhequr dhe ka gjetur një zgjidhje të ndërmjetme.
Ai nxorri sot ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu, e cila bëri të ditur se mbyllja do të jetë për 12 muaj.
Do të kishte qenë e arsyeshme që ky vendim të ishte marrë duke patur në konsideratë dëmin që i shkaktohej shumë sipermarrjeve, influencerave e kështu me radhë, që jetojnë dhe hanë bukë me ketë platforme.
Por duke patur parasysh sa sa e ndjeshme është qeveria shqiptare ndaj ndryshimeve përtej oqeanit, duket se kjo kthesë e madhe u mor pasi edhe Donald Trump ndryshoi qëndrim mbi Tik Tokun.
Fillimisht Trump tha se do e mbyllte në kuadër të luftës së tij tregtare ndaj Kinës. Më pas bëri dietro-front, duke argumentuar se Tik Toku i ishte sugjeruar nga i biri dhe se e ndihmoi që të merrte votat e të rinjve amerikane dhe të behej president.
Ai i la kohë Tik Tokut që ti shitej një ndërmarrje amerikane, që të mos mbyllej në Shtetet e Bashkuara, por deri tani nuk ka ndodhur ende asgjë.
Edhe qeveria jonë zgjodhi një biçim zgjidhje hibride, në mënyrë që kryeministri të mos dukej i dobët. Ai vërtet nuk po e trash më zërin, por gjeti këtë shpikjen e 12 muajve pezullim për të shpëtuar fytyrën nga zotimi i mëparshëm radikal se do ta mbyllte përgjithnjë.
E vërteta është se në vetvete mbyllja e një hapësire komunikimi të ndjekur masivisht është marrëzi, sepse mund të mbyllet ajo, por të rinjtë do të gjejnë gjithnjë një dritare për tu shprehur, dëfryer dhe ndërvepruar.
Kështu që Ramës i doli huq lufta ndaj Kinës, duke qenë se Trump ndryshoi strategji dhe jo se ai vetë kishte hallin për dëmin që Tik Toku mund t’i bënte rinisë shqiptare.