Një video rrëqethëse e publikuar nga CNN ka tronditur opinionin ndërkombëtar, duke ekspozuar brutalitetin që përjetojnë ushtarët rusë në frontin e luftës në Ukrainë. Pamjet tregojnë një ushtar rus të lidhur pas një peme, i braktisur si “sakrificë për Baba Yaga” – një figurë mitologjike e frikshme nga folklori sllav, që për rusët simbolizon dronët vdekjeprurës ukrainas. Sipas një përgjimi radiofonik të siguruar nga inteligjenca ukrainase, një komandant rus urdhëron në mënyrë të qartë: “Lidhe te pema, brenda gjysmë ore.” Ky nuk është një rast i izoluar – komandanti i një njësie dronësh ukrainas thotë se ka dëgjuar shumë raste të ngjashme dhe e ka parë këtë ndëshkim të zbatohet disa herë në terren.
Këto akte çnjerëzore janë pjesë e një serie videosh që qarkullojnë në rrjetet sociale dhe dëshmojnë për trajtimet mizore që ushtarët rusë u rezervojnë kolegëve të tyre të akuzuar për dezertim apo paaftësi. Një video tregon tre burra të zhveshur, të mbyllur në një kontenier metalik, të trajtuar si “kafshë” nga shokët e armëve. Në një tjetër, një ushtar është i lidhur me një jeepp përmes një rripi dhe tërhiqet zvarrë në fushë në një ndëshkim të njohur si “karuseli”. Në një rast tjetër, një burrë i lidhur me një kovë të ndryshkur mbi kokë goditet me shkelma dhe më pas urinohet nga ushtarët e tjerë.
Ndërkohë, dëshmitë nga ushtarë rusë dhe familjarë të tyre të shpërndara në Telegram, zbulojnë një gjendje dëshpërimi ekstrem. Një ushtar nga rajoni i Donetskut apelon drejtpërdrejt presidentit Vladimir Putin, duke rrëfyer se nga 150 ushtarë në një kompani, vetëm 32 mbijetuan pas një sulmi, ndërsa komandantët mbulojnë vdekjet për të mos paguar kompensime. Ai akuzon eprorët për urdhra vetëvrasëse dhe për vrasje të atyre që refuzojnë të dalin në sulme të pamundura: “Thjesht i vunë përpara murit sepse nuk pranuan të dalin kundër mitralozit.”
Sipas organizatës “Get Lost”, e cila ndihmon ushtarët rusë për të dezertuar dhe ndodhet aktualisht në Barcelonë, që nga nisja e luftës janë ndihmuar mbi 1,700 persona për t’u larguar nga shërbimi ushtarak. Themeluesi Grigory Sverdlin thotë se brenda ushtrisë ruse mbretëron një kulturë e thellë nihilizmi dhe dhune, ku jeta e ushtarit ka më pak vlerë se një tank apo një mjet ushtarak. “Shumë na thonë: ‘do të vdesim brenda javës, por komandanti do marrë një njësi tjetër’”, rrëfen ai.
Institucione perëndimore si Institute for the Study of War vlerësojnë se mbi 50,000 ushtarë rusë mund të kenë dezertuar që nga fillimi i luftës, ndërsa NATO raporton mbi 100,000 të vdekur vetëm në vitin 2025. Në kontrast me ushtrinë ukrainase, e cila gjithashtu përballet me sfida morale dhe lodhje nga lufta, ushtarët rusë shprehen shpesh se nuk e kuptojnë pse po luftojnë. Siç thotë një dezertor: “Nuk është lufta jonë… nuk kuptojmë fare pse jemi këtu.”
