FLASH :

Ndërtim i paligjshëm në Gjirokastër, arrestohet Roland Skëndo

Prokuroria e Gjirokastrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Roland Skëndon, i akuzuar për ndërtim të paligjshëm të një hoteli në lagjen “18 Shtatori” në këtë qytet. Skëndo akuzohet se ka shkelur vendimin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) që kishte pezulluar punimet për këtë objekt.

Pas konstatimit të shkeljeve, IKMT përpiloi një akt-konstatim që u përcoll më pas në prokurori për ndjekje penale. Nga hetimet paraprake rezulton se Roland Skëndo dyshohet të ketë ndikuar ekspertin Arjan Dani, i cili kishte përpiluar një akt-ekspertimi të rremë. Sipas këtij dokumenti, punimet në hotel konsideroheshin vetëm si “punime të brendshme” dhe jo si ndërtim i plotë.

Ndërkohë, eksperti Arjan Dani është vendosur nën masën “arrest shtëpie”, pasi dyshohet se ka përpiluar dokumentin e rremë që mundësoi vazhdimin e punimeve të paligjshme.

Hoteli, me sipërfaqe prej 247 m², është vënë tashmë nën sekuestro preventive me vendim të prokurorisë, duke u bërë pjesë e hetimeve të mëtejshme për të zbardhur plotësisht këtë rast abuziv.