FLASH :

Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare “gjyqtari më i mirë në botë”, Frank Caprio

Gjyqtari amerikan, i njohur globalisht edhe në rrjetet sociale, Frank Caprio, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, ka njoftuar familja e tij.

Lajmi u bë i ditur përmes llogarisë zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se gjyqtari Caprio ndërroi jetë pas një beteje me kancerin e pankreasit. Në njoftim ai u përkujtua për dashurinë, humorin dhe besimin e palëkundur në mirësinë e njerëzve.

Djali i tij, David Caprio, falënderoi të gjithë ndjekësit për dashurinë dhe mbështetjen, duke i ftuar të nderojnë kujtimin e të atit përmes një gjesti mirësie:

I dashur për publikun anembanë botës për ndjeshmërinë, humanizmin dhe batutat e tij në sallën e gjyqit, Frank Caprio u bë i njohur nga emisioni televiziv Caught in Providence, ku pamjet e tij teksa gjykonte çështje të përditshme morën miliarda shikime në rrjetet sociale, duke i sjellë atij nofkën: “gjyqtari më i mirë në botë”.

Në mesazhin për 3.4 milionë ndjekësit e tij në Instagram, Caprio u përkujtua si një njeri që “frymëzoi pafund akte mirësie”.

Përpara se të bëhej figurë televizive, Frank Caprio punoi në sistemin e drejtësisë për dekada me radhë në qytetin e tij të lindjes, Providence, në Rhode Island.