Një i burgosur ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në burgun e Lezhës. Bëhet fjalë për Allush Hysën, i dënuar për plagosje të rëndë dhe që vuante masën mjekësore “mjekim i detyruar” që prej 27 nëntorit 2021.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ai është gjetur pa shenja jete në orën 07:00, në dhomën nr. 3 të godinës nr. 5. I ndjeri ishte diagnostikuar me epilepsi, çrregullim të sjelljes dhe prapambetje mendore. Pas ngjarjes, janë njoftuar SHKBSB, Prokuroria e Rrethit, komisariati i Policisë dhe familjarët për veprimet e mëtejshme procedurale.
Njoftimi i plotë:
Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë, mëngjesin e sotëm, më datë 25.06.2025, rreth orës 07:00, është konstatuar pa puls i dënuari Allush Hysa, i datëlindjes 12.09.1989.
I dënuari ndodhej në dhomën nr. 3, kati i parë, godina nr. 5 dhe vuante masën mjekësore “mjekim i detyruar”, që nga data 27.11.2021, në zbatim të vendimit gjyqësor. Ai ishte i diagnostikuar me epilepsi, çrregullim të sjelljes dhe prapambetje mendore.
Referuar dosjes, Hysa ishte arrestuar më 23.01.2014 për veprën penale të “Plagosjes së rëndë”.
Menjëherë pas konstatimit të mungesës së shenjave jetësore, janë njoftuar SHKBSB, Prokuroria e Rrethit, komisariati i Policisë dhe familjarët.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllime familjes Hysa.