Babai i këngëtares së njohur Rihanna, Ronald Fenty, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër. Lajmin e konfirmoi Starcom Network në Barbados, vendlindja e artistes, ndërsa burime për “PEOPLE” thonë se ai ndërroi jetë në Los Angeles, i rrethuar nga familjarët.
Në pamjet e publikuara nga TMZ, vëllai i Rihanna-s, Rajad Fenty, u pa duke mbërritur në Cedars-Sinai Medical Center më 28 maj, ndërsa besohet se edhe vetë këngëtarja ishte në të njëjtin mjet. Përfaqësuesit e saj nuk kanë dhënë ende një koment zyrtar për ndarjen nga jeta të të atit.
Ronald Fenty ishte babai i tre fëmijëve me Monica Braithwaite – përfshirë Rihanna-n, Rajad-in dhe Rorrey-n – si dhe kishte tre fëmijë të tjerë nga lidhje të mëparshme. Ai e rriti familjen në një shtëpi modeste në Bridgetown, Barbados, rrugë që sot mban emrin “Rihanna Drive”.
Marrëdhënia mes Rihanna-s dhe të atit ka kaluar përmes ulje-ngritjeve të shumta. Pas incidentit të dhunshëm mes saj dhe Chris Brown në vitin 2009, Fenty doli në media pa lejen e vajzës së tij. Më vonë, Rihanna foli hapur për këtë në një intervistë për Vogue, duke e përshkruar si “një situatë të çuditshme që e tronditi”.
Në vitin 2019, marrëdhënia u tensionua sërish kur Rihanna e paditi të atin për përdorim të paautorizuar të emrit të saj, duke pretenduar se ai kishte krijuar një kompani me emrin Fenty Entertainment dhe ishte paraqitur si menaxheri i saj për të përfituar financiarisht. Procesi gjyqësor u tërhoq pak javë para se të niste gjyqi, në vitin 2021.
Aktualisht, Rihanna është shtatzënë dhe pret fëmijën e saj të tretë me partnerin A$AP Rocky. Ajo tashmë është nënë e dy djemve të vegjël: Rza (2 vjeç) dhe Riot (1 vjeç).
Humbja e Ronald Fenty shënon një moment të dhimbshëm në jetën e yllit botëror, mes një periudhe personale të mbushur me ndryshime të mëdha. Fansat në mbarë botën kanë shprehur ngushëllimet e tyre për këngëtaren dhe familjen e saj në rrjetet sociale.