Artan Lame, ish-kreu i Kadastrës dhe një prej figurave më të angazhuara në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, është ndarë nga jeta më 23 maj në Mynih të Gjermanisë, pas një ndërhyrjeje të ndërlikuar në zemër.
Sot, më 26 maj, familjarët e tij do të presin të afërm, miq dhe qytetarë për të nderuar kujtimin e tij, nga ora 10:00 deri në 20:00 pranë agjencisë funerale “Alba 2000” në rrugën e Durrësit.
Homazhet zyrtare do të mbahen të martën, më 27 maj, në orën 10:00 pranë Akademisë së Shkencave, ndërsa në orën 12:00 trupi i pajetë do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës.
Gjatë karrierës së tij, Lame mbajti një sërë detyrash të rëndësishme shtetërore: në vitin 2000 drejtoi Trashëgiminë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, më pas u emërua nënkryetar i Bashkisë së Tiranës dhe zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit. Nga viti 2013 deri në 2019, ai drejtoi Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), dhe më pas Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Përveç veprimtarisë së tij publike, Artan Lame njihej si një koleksionist pasionant dhe publicist i angazhuar, veçanërisht në fushën e historisë dhe mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare. Në vitin 2012, ai u dekorua nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes” për kontributin e dhënë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndarja e tij nga jeta lë pas një boshllëk të ndjeshëm në fushën e administratës publike dhe kulturës historike të vendit.







