Rajoni i Piemontit në veri të Italisë, me kryeqytet Torinon, është bërë rajoni i parë në vend që ndalon punën e dërgesave me biçikletë apo motor gjatë orëve më të nxehta të ditës, në përpjekje për të mbrojtur shëndetin e punonjësve në kushtet ekstreme të motit.
Sipas vendimit të ri, kur rajoni shpallet në gjendje alarmi për temperaturat e larta, të gjithë punonjësit e shërbimeve të dërgesave do të duhet të ndalojnë punën nga ora 12:30 deri në orën 16:00. Ky ndalim prek rreth 10 mijë punonjës në të gjithë Piemontin, të cilët operojnë kryesisht në sektorin e shpërndarjes së ushqimeve dhe mallrave të shpejta.
Masa e re erdhi pas një denoncimi të sindikatës italiane CGIL, e cila zbuloi se një kompani e njohur i kishte inkurajuar punonjësit të punonin më shumë gjatë vapës në këmbim të një “bonusi për temperaturat e larta”. Sindikata e cilësoi këtë praktikë si të papranueshme dhe të rrezikshme për shëndetin e punonjësve, duke theksuar se “asnjë shpërblim nuk mund të justifikojë rrezikimin e jetës”.
Vendimi tashmë është në fuqi edhe për sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë, ndërsa autoritetet rajonale kanë paralajmëruar se do të ketë kontrolle të shtuara dhe ndëshkime për kompanitë që nuk e zbatojnë ndalimin. Ky është një nga reagimet më të forta institucionale në Itali ndaj valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin dhe një precedent që pritet të pasohet edhe nga rajone të tjera.