FLASH :

Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare Jackie Bezos, nëna e themeluesit të Amazon

Jacklyn “Jackie” Gise Bezos, nëna e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, ka ndërruar jetë të enjten në moshën 78-vjeçare, pas një beteje të gjatë me demencën e trupave Lewy, një sëmundje e trurit që prek mendimin, lëvizjen, sjelljen dhe humorin.

Lajmin e bëri të ditur vetë Bezos në rrjetet sociale, duke e përshkruar nënën si një grua që “për gjithë jetën dha më shumë nga vetja sesa kërkoi ndonjëherë”. Ai tregoi se ajo u bë nënë në moshën 17-vjeçare dhe e përballoi me forcë këtë sfidë, duke i ofruar dashuri dhe mbështetje të pakushtëzuar. Jackie ndërroi jetë në banesën e saj në Miami, e rrethuar nga familja.

Përveç bashkëshortit Mike, ajo lë pas tre fëmijët e saj, 11 nipër e mbesa dhe një stërnip. Jackie Bezos ishte bashkëthemeluese e Bezos Family Foundation dhe kontribuoi në krijimin e programit Bezos Scholars, që mbështet nxënës në SHBA dhe Afrikë. Në një nga thëniet e saj më të njohura, ajo theksonte: “Ne nuk po ndërtojmë vetëm trurin – po ndërtojmë të ardhmen. Secili prej nesh ka një rol për të luajtur dhe do të duhet bashkëpunimi i të gjithëve për të bërë ndryshimin.”

Familja e përshkroi si një “dritë të ndritshme që nuk do të shuhet kurrë” dhe theksoi se dashuria e saj do të mbetet gjithmonë e gjallë.