FLASH :

Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare Bujar Bukoshi, një nga figurat më të rëndësishme politike të Kosovës gjatë viteve ’90-të dhe ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil.

Bukoshi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë dhe prej vitesh jetonte në Gjermani, ku edhe u trajtua dhe ndërroi jetë.

I lindur më 13 maj 1947, Bukoshi u emërua kryeministër i qeverisë në ekzil më 1991, pas shpalljes së Republikës së Kosovës, dhe për afro një dekadë punoi nga jashtë vendit për të sensibilizuar botën perëndimore mbi represionin serb në Kosovë.

Ai ishte ndër themeltarët e institucioneve paralele shqiptare dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Ndër vite, Bujar Bukoshi u vlerësua si një nga zërat më të moderuar të politikës kosovare dhe një figurë kyçe në ruajtjen e orientimit paqësor të rezistencës shqiptare në një kohë të errët për vendin.