Ish-sulmuesi i përfaqësueses gjermane dhe kampion bote në vitin 1990, Frank Mill, ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare, pas pasojave të një arresti kardiak që pësoi në fund të muajit maj. Lajmi është konfirmuar nga federata gjermane e futbollit dhe ish-klubet e tij, të cilat kanë ndarë homazhe prekëse për një nga emrat më të njohur të brezit të artë të Gjermanisë.
Sipas “Bild”, Mill pësoi një atak kardiak në momentin që hipi në një taksi në aeroportin e Milanos, ku kishte mbërritur për të marrë pjesë në xhirimet e një dokumentari për triumfin e Gjermanisë në Botërorin e Italisë 1990. Ai u transportua me urgjencë në spital dhe për disa minuta u konsiderua klinikisht i vdekur, por mjekët arritën ta rikthenin në jetë dhe më pas e vendosën në koma artificiale. Pas një rikuperimi të vështirë që zgjati rreth 10 javë, Mill u shua në orën 02:30 të mëngjesit të së martës.
Karriera e tij nisi te Rot-Weiss Essen, për të kaluar më pas te Borussia Monchengladbach, ku u bë një nga figurat ikonike të viteve ’80, me mbi 150 ndeshje të zhvilluara. Ai luajti gjithashtu për Borussia Dortmund dhe Borussia Dusseldorf, ndërsa përfaqësoi Gjermaninë në 17 ndeshje, duke fituar edhe medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike të Seulit në vitin 1988.
“Ne jemi në zi për Frank Mill, kampionin tonë të Botës 1990. Pushofsh në paqe, Frank. Mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e tij,” shkroi Federata Gjermane e Futbollit në rrjetet sociale.
Edhe klubi i tij i zemrës, Rot-Weiss Essen, nderoi figurën e tij me një deklaratë prekëse: “Frank Mill, legjenda e RWE, ndërroi jetë nga pasojat e një ataku të rëndë kardiak. Ai ishte vetëm 67 vjeç. Pushofsh në paqe, legjendë!”
Mill lë pas tre fëmijë – Vanessa, Kevin dhe Max. Vdekja e tij ka prekur thellë botën e futbollit gjerman dhe jo vetëm.


