Hollywood-i humbi një nga figurat më të dashura të komedisë televizive. Aktorja legjendare Loni Anderson, e njohur për rolin e saj si Jennifer Marlowe në serialin e famshëm “WKRP in Cincinnati”, u nda nga jeta këtë të diel në një spital në Los Anxhelos, pas një sëmundjeje të zgjatur. Ajo ishte vetëm pak ditë larg përvjetorit të saj të 80-të.
Lajmin e trishtë e konfirmoi për publikun publicistja e saj prej kohësh, Cheryl J. Kagan, ndërsa familja deklaroi: “Zemrat tona janë të thyera teksa njoftojmë ndarjen nga jeta të gruas, nënës dhe gjyshes sonë të dashur.”
Anderson fitoi zemrat e publikut me interpretimin e Jennifer-it, recepsionistja joshëse dhe inteligjente e një radioje në rënie, në serialin që u transmetua nga 1978 deri më 1982. Ajo ishte mishërimi i bukurisë dhe zgjuarsisë që shpesh mbante në këmbë një redaksi plot çrregullim dhe humor.
Roli i solli Anderson dy nominime për çmimin Emmy dhe tre për Golden Globe, duke e kthyer atë në një ikonë të komedisë amerikane të viteve ’80. Ajo gjithashtu luajti përballë Burt Reynolds në filmin “Stroker Ace” (1983), dhe çifti u bë një nga më të përfolurit e Hollywood-it, përpara se të divorcoheshin në vitin 1994.
Loni Anderson lë pas bashkëshortin Bob Flick, vajzën Deidra, dhëndrin Charlie Hoffman, djalin Quinton Anderson Reynolds, nipërit McKenzie dhe Megan Hoffman, si dhe familjen e bashkëshortit.
Për miliona shikues, ajo do të mbetet gjithmonë Jennifer-i që qeshte butë, por që dinte gjithmonë më shumë se të gjithë të tjerët në dhomë.