Tre avionë luftarakë rusë që shkelën hapësirën ajrore të Estonisë janë ndaluar nga NATO, ka njoftuar aleanca ushtarake.
Ministria e Jashtme e Estonisë e dënoi shkeljen si një akt “të pacipë”, duke sqaruar se tre avionë tip MiG-31 hynë pa leje mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan përplot 12 minuta të premten.
Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se aleanca reagoi menjëherë, duke i ndalur avionët rusë dhe e cilësoi incidentin si “një tjetër shembull i sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë dhe i aftësisë së NATO-s për të reaguar”.
Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal, deklaroi se qeveria e tij ka vendosur të kërkojë konsultime përmes Nenit 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon mbledhje urgjente të 32 vendeve anëtare kur kërcënohet siguria e njërit prej tyre.
Ministria e Jashtme estoneze ka thirrur të ngarkuarin me punë të ambasadës ruse për të paraqitur protestë zyrtare, ndërsa shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e përshkroi incidentin si “një provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
Në një reagim tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE-ja do të përgjigjet me vendosmëri ndaj çdo provokimi dhe do të investojë më shumë në forcimin e krahut lindor të NATO-s.
Ky është rasti i katërt në vitin 2025 që Rusia shkel hapësirën ajrore të Estonisë, sipas ministrit të Jashtëm Margus Tsahkna, i cili theksoi se agresiviteti rus duhet të përballet me rritje të presionit politik dhe ekonomik.
Incidenti vjen vetëm disa ditë pasi Polonia dhe Rumania raportuan shkelje të ngjashme nga dronë rusë, duke ngritur më tej tensionet mes NATO-s dhe Moskës. Në përgjigje, aleanca ka lëvizur trupa dhe avionë luftarakë drejt lindjes, përfshirë edhe aeroplanë nga Britania, Franca, Gjermania dhe Danimarka.