Ndërsa përplasja publike mes Elon Musk dhe presidentit Donald Trump përshkallëzohet, pasojat nuk po ndihen vetëm në Wall Street apo në selitë e Tesla dhe SpaceX, por edhe në orbitë. NASA – agjencia hapësinore që dikur ndihmoi ngritjen e SpaceX – mund të jetë tani viktima më e madhe e kësaj beteje të re politike e personale.
Çështja shpërtheu pas komenteve të Musk, i cili kritikoi projektbuxhetin “One Big Beautiful” të Trump si i shpenzueshëm dhe rrënues për deficitin. Trump reagoi menjëherë në Truth Social duke paralajmëruar: “Mënyra më e lehtë për të kursyer miliarda është të anulojmë subvencionet dhe kontratat e Elonit.” Musk, si përgjigje, deklaroi në X se SpaceX do të fillonte çaktivizimin e kapsulës Dragon, e vetmja anije amerikane që aktualisht dërgon astronautë në hapësirë. Edhe pse më vonë tërhoqi fjalën, dëmi politik tashmë ishte bërë.
NASA Varet nga SpaceX. SpaceX Jo Më nga NASA.
Sot, SpaceX ka burime të mjaftueshme financiare falë shërbimit satelitor Starlink, që sjell 80% të të ardhurave vjetore prej 15.5 miliardë dollarësh. Megjithatë, NASA është ende thellësisht e varur nga SpaceX. Më shumë se gjysma e misioneve të saj vitin e kaluar janë realizuar me raketat Falcon. Asnjë kompani tjetër amerikane nuk është afër këtij niveli kapaciteti.
Rocket Lab, konkurrenti më i afërt, mund të lëshojë vetëm satelitë të vegjël. Boeing, me anijen e vet Starliner, nuk ka akoma certifikim për fluturime të rregullta, sidomos pas incidentit të vitit të kaluar kur dy astronautë mbetën të bllokuar në ISS për muaj të tërë. As vetë Boeing nuk ka ofruar afat për një tjetër mision. Edhe Cygnus i Northrop Grumman, që përdoret për transport të ngarkesave, lëshohet kryesisht me raketat e SpaceX.
Pa Dragon, NASA mund t’i rikthehet Roscosmos
Nëse SpaceX tërheq kapsulën Dragon ose kontratat anulohen, NASA do të detyrohet të rikthehet te agjencia ruse Roscosmos për të transportuar astronautë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës – një hap i madh pas, sidomos në kontekstin aktual gjeopolitik.
Rrezikohet edhe Programi i Hënës
Goditja më afatgjatë mund të jetë mbi programin Artemis, që synon kthimin e njeriut në Hënë. SpaceX është pjesë kyçe e kësaj iniciative, por në propozimin e fundit buxhetor të administratës Trump kërkohet pezullimi i raketës SLS dhe kapsulës Orion, me synim zëvendësimin nga teknologjitë e Blue Origin (e Jeff Bezos) dhe SpaceX. Por tani, me marrëdhënien Musk–Trump në kolaps, përfshirja e SpaceX është vënë seriozisht në pikëpyetje.
NASA pa drejtim
Për ironi, në një moment kritik si ky, NASA është pa një administrator të konfirmuar. Presidenti Trump kishte nominuar miliarderin Jared Isaacman, i cili kishte marrë mbështetje dypartiake. Por vetëm pak ditë para votimit në Senat, nomimi i tij u tërhoq nga Shtëpia e Bardhë, thuhet për shkak të lidhjeve të tij me Musk. Isaacman, një investitor në SpaceX dhe astronaut privat përmes kompanisë së tij Shift4, deklaroi në një podcast se: “Disa persona kishin hesape për të larë dhe unë isha një objektiv i lehtë.”
Krizë në Qendër të Gravitetit të Hapësirës Amerikane
Konflikti Trump–Musk po ndikon më shumë sesa thjesht kompanitë apo bursën. Ai po vendos në rrezik strukturën e të gjithë programit hapësinor amerikan. Në një kohë kur rivalët ndërkombëtarë si Kina po avancojnë me shpejtësi drejt Hënës dhe Marsit, SHBA mund të ngelet pa mjetet dhe pa partnerët për të konkurruar – thjesht sepse presidenti dhe një miliarder nuk mund të ndajnë skenën.