FLASH :

Napoli ‘blindon’ veteranët, Rrahmani deri në vitin 2029 në stadiumin ‘Maradona’

Napoli nuk po investon vetëm në lojtarë të rinj, por edhe në mbajtjen e atyre që i dhanë titullin kampion të Italisë, duke filluar me Matteo Politano-n, e më pas me Amir Rrahmanin dhe André Frank Zambo Anguissa-n.

Skuadra napolitane ka qenë një nga klubet që ka shpenzuar më shumë këtë verë për të përforcuar ekipin, me synimin jo vetëm për të mbrojtur titullin e Serie A, por edhe për të garuar denjësisht në Ligën e Kampionëve dhe Superkupën e Italisë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ata po lënë pas dore lojtarët që i udhëhoqën drejt suksesit sezonin e kaluar.

Veteranët mbeten të rëndësishëm për Napolin.

Napoli tashmë ka arritur marrëveshjen dhe ka firmosur kontratën e re me Politano, që do ta mbajë në klub deri në qershor 2028, një proces i finalizuar pas disa javësh negociatash.

Së shpejti do të vijë radha e mbrojtësit Amir Rrahmani, me të cilin drejtuesit duan të zgjatin bashkëpunimin deri në qershor 2029.

Po ashtu, po punohet edhe për të siguruar të ardhmen e Anguissa-s. Kontrata e mesfushorit u zgjat automatikisht deri në qershor 2027, por plani i Napolit është që ta mbajë atë edhe më gjatë në “Stadio Diego Armando Maradona”.