FLASH :

Naiviteti i marksistëve dogmatikë të Qorit: Kemi në lista njerëz pa shkollë!

Në momentin kur forcat e ndryshme politike po shpalosin idetë dhe programet e tyre politike, pra alternativën që iu ofrojnë qytetarëve, disa elementë dallohen të qartë kristal.

Së pari, kjo fushatë është e përqendruar te populizmi, barcoletat, anekdotat, tregimet dhe “diss”-et.

Aq i fortë dhe i kohës është bërë impakti i gjësë së shpejtë në media, saqë kur ulen në nivelin e ideve apo ideologjisë, faktorët politikë duken të dalë jashtë mode dhe gati qesharakë.

Për shembull, kandidatja për deputete e Lëvizjes Bashkë, Bora Mema, në një postim në rrjetet sociale, për të dëshmuar qartazi se janë komunistë, proletarë dhe njerëz të thjeshtë të popullit, “mburret” se në radhët e saj, kjo parti ka në listat për deputetë njerëz pa shkollë, ose me arsimin bazë, punonjës fasonerish dhe call center-ash, pastiçierë dhe ndihmësa socialë.

Tani, për marksistët utopikë, që synojnë marrjen e pushtetit me diktaturën e proletariatit, kjo është normale.

Por ata nuk e kuptojnë se në këtë mënyrë bien në një adoleshencë të përjetshme politike. Politika, qeverisja, nuk janë çështje fëmijësh, që meqë sot kanë nisur ata të merren me politikë, kujtojnë se edhe çadrën e kanë shpikur po ata.

Në kritikat që i bënte revolucionit francez, në një letërkëmbim me një mikun e tij francez në të njëjtën periudhë kur revolucioni po ndodhte, Edmund Burke, i shprehte francezit të gjithë habinë e tij se si kishte mundësi, që bazuar mbi një ëndërr, njerëzit ishin çmendur në Francë dhe tashmë po pretendonin, se kasapët, punëtorët e llaçit dhe zdrukthëtarët, tani do të qeverisnin çështjet e vendit dhe do të merrnin në dorë fatet e kombit.

Sot, e dimë mirë se çfarë ka prodhuar modeli britanik kapitalist, ku politika është çështje kryesisht e fisnikërisë dhe elitave të trashëguara në 3 shekujt e fundit dhe se çfarë drame shkaktoi komunizmi i eksperimentuar në çdo cep te botës ku u tentua, përfshi edhe Shqipërinë.

Madje e kemi dhe më të qartë nëse shohim se kush është bërë politikan në Shqipëri 30 vitet e fundit. Njerëz pa një profesion, njerëz të dalë nga skutat e thella të militantizmit partiak, njerëz që nuk kanë dëgjuar ndonjëherë të flitet për politikë. Dhe ndaj rezultati ka qenë ai që ka qenë.

Fakti që racionalistët e Arlindit janë mohues të realitetit socio-politik pas gjithë përvojës së përjetuar dhe të studiuar mbi dëmet e marksizmit dhe të komunizmit, tregon se ata janë aventurierë, të pa gatshëm për t’i hyrë realisht politikës dhe se vazhdojnë të përqafojnë kauzën e gabuar.