FLASH :

“Na lanë në rrugë” – Çifti britanik detyrohet të shembë vilën milionëshe të ndërtuar në mënyrë të paligjshme

Një çift i moshuar britanik, Jeremy dhe Elaine Zielinski , janë urdhëruar të shembin vilën e tyre luksoze në Cambridgeshire, pasi u zbulua se kishin ndërtuar në fshehtësi një shtëpi të tre-katëshme, në vend të një objekti komercial për një klinikë mbarështimi kuajsh, siç ishte miratuar nga autoritetet.

Ndërtesa, e vendosur në një sipërfaqe prej 17 hektarësh, kishte pamjen e jashtme të një laboratori, por brenda ishte transformuar në një shtëpi tërësisht rezidenciale, me kuzhinë moderne, ambient ndenjeje dhe dritare panoramike. Autoritetet e planifikimit lokal urdhëruan shembjen, duke e konsideruar ndërtimin një “shkelje të qartë dhe të hapur të ligjit”.

Zielinskët pretendojnë se pandemia u shkatërroi planet për biznesin dhe se ishin të detyruar të jetonin aty, duke investuar gjithë kursimet. “Nëse na nxjerrin jashtë, s’do kemi ku të shkojmë. Nuk duam të jetojmë në karvan”, tha zonja Zielinski. Por inspektori i planifikimit vlerësoi se ndërtesa ishte që në fillim ndërtuar si shtëpi, jo si laborator.

Çifti, që shiti shtëpinë e tyre më parë dhe investoi mbi 1 milion paund në këtë pronë, thotë se do të apelojnë sërish në rrugë ligjore, ndërsa afati për prishjen është 12 muaj. Autoritetet lokale theksojnë se vendimi tregon se askush nuk është mbi ligjin e ndërtimit, as në zona rurale.