Ministria e Bujqësisë ka konfirmuar praninë e sëmundjes virale Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) në katër vatra në Shqipëri: në Shkodër, Dibër, Bulqizë dhe Skrapar. Deri më sot, janë prekur 716 krerë, 25 kanë ngordhur, ndërsa 153 janë eliminuar për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Sipas autoriteteve, kjo sëmundje është shumë ngjitëse mes dhive dhe dhenve, por nuk transmetohet te njerëzit. Humbjet për blegtorët mund të jenë të mëdha, me ngordhshmëri që arrin deri në 100% të tufës në raste të patrajtuara.
Për të mbrojtur tufat dhe ndalur përhapjen, është ndaluar përkohësisht çdo lëvizje e dhenve dhe dhive në të gjithë vendin, përveç rasteve kur ato shkojnë për therje dhe shoqërohen me certifikatë shëndetësore.
Ministria ka ngritur 39 grupe kontrolli që kanë monitoruar mbi 980 ferma dhe 164 mijë krerë të imta, duke punuar edhe me Policinë për zbatimin e urdhrave dhe ndërgjegjësimin e fermerëve.
Sëmundja është raportuar edhe në sistemin e emergjencave të BE-së, ndërsa ekspertë të Komisionit Evropian ndodhen në vend për të ndihmuar në menaxhimin e situatës dhe dhënien e rekomandimeve.
Fermerët ftohen të raportojnë çdo rast të dyshimtë në numrin e gjelbër 0800 3366 dhe të zbatojnë masat e biosigurisë.