Kosova ka ndaluar me efekt të menjëhershëm importin e deleve dhe dhive nga Shkodra dhe Kukësi, për shkak të shpërthimit të murtajës së rrezikshme të bagëtive të imta, e njohur ndryshe si PPR (Peste des Petits Ruminants).
Në një njoftim për media, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës bën të ditur se masa ndaluese është vendosur pas konfirmimit të rasteve të para të sëmundjes në territorin shqiptar. “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vendosë masë ndalese të pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël – dele dhe dhi – nga regjioni i Shkodrës dhe Kukësit”, thuhet në deklaratë.
Për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në territorin kosovar, autoritetet kufitare do të shtojnë kontrollet në të gjitha pikat doganore me Shqipërinë.
PPR është një sëmundje ngjitëse që prek dhitë dhe delet dhe transmetohet kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Shenjat klinike përfshijnë temperaturë të lartë, sekrecione nga hundët dhe sytë, ulje të oreksit, diarre dhe raste të ngordhjes.
AUV thekson se kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik. Megjithatë, ajo po e trajton situatën me seriozitet dhe premton informim të vazhdueshëm për fermerët dhe opinionin publik mbi zhvillimet e mëtejshme.