FLASH :

Murgesha që qau Papën: Një miqësi që sfidoi protokollin në Vatikan

Në një moment prekës dhe jashtë çdo rregulli protokollar, murgesha franceze 81-vjeçare, Geneviève Jeanningros, u lejua të afrohej te arkivoli i Papa Françeskut në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku shpërtheu në lot pranë mikut të saj të vjetër.

E njohur si “L’enfant terrible” – “fëmija e tmerrshme”, siç e quante me përkëdheli Papa, Jeanningros ka qenë një nga miqtë më të ngushtë të Françeskut për më shumë se katër dekada. Miqësia e tyre nisi në Buenos Aires, kur ai ishte ende Jorge Mario Bergoglio, dhe u forcua nga përkushtimi i përbashkët për t’u shërbyer të përjashtuarve të shoqërisë.

Një jetë mes të përjashtuarve

Jeanningros i ka kushtuar mbi 56 vjet jetën e saj mbështetjes së grave të margjinalizuara, veçanërisht transgjinoreve, në lagjen Ostia të Romës. E njohur për thyerjen e konvencioneve dhe aktivizmin e saj të paepur, ajo jeton në një karvan bashkë me një murgeshë tjetër dhe çdo të mërkurë shoqëronte gra të pastreha e të varfra drejt Vatikanit, ku Papa Françesku i priste me ushqim dhe ndihmë financiare.

Anashkalimi i protokollit – dhe heshtja që foli shumë

E shoqëruar nga një zyrtar i Vatikanit, murgesha u lejua të kalonte përtej zonës së ndaluar për publikun, duke u qëndruar përballë arkivolit të Papës. Asnjë rojë nuk ndërhyri, përkundrazi: praninë e saj e përshëndetën me respekt.

E veshur me një shami blu dhe e përkulur lehtë nga vitet dhe lodhja, Jeanningros qëndroi e heshtur, duke qarë në heshtje pranë trupit të mikut të saj të dashur. Ky gjest i heshtur i dha ceremonisë së lamtumirës një përmasë njerëzore dhe intime që nuk e parashikonte asnjë protokoll.

Një miqësi e rrallë, një shembull për botën

Papa Françesku kishte vlerësuar publikisht murgeshën në korrik të vitit të kaluar, gjatë një vizite në Ostia. Ai e kishte përshkruar atë si një shembull të gjallë të dashurisë kristiane pa paragjykime, duke nderuar përkushtimin e saj ndaj më të pambrojturve.

Prania e saj pranë arkivolit u komentua gjerësisht në rrjete sociale dhe media, ku u cilësua si “homazhi më i sinqertë dhe më prekës që iu bë Papës”. Në fund, ishte pikërisht ajo – një murgeshë jashtë rregullave – që simbolizoi më mirë trashëgiminë shpirtërore të Françeskut.