Një nënë e tre fëmijëve, e cila ka jetuar për 19 vjet në një banesë komunale në Moulsecoomb, East Sussex, thotë se përballet me rrezikun e dëbimit, pasi shpenzoi 30 mijë paund për të transformuar kopshtin e saj të pasëm pa leje ndërtimi.
Renata Mahmoud, 48 vjeç, e cila e ka anglishten si gjuhë të dytë, ka deklaruar se kopshti ishte i rrezikshëm dhe i pabanueshëm për fëmijët e saj, ndaj ndërtoi një tarracë me tri nivele për të krijuar një hapësirë të sigurt. Pavarësisht se kishte kërkuar ndihmë nga bashkia për vite me radhë për të rrafshuar terrenin e pjerrët, ajo nuk mori asnjë ndihmë dhe vendosi të veprojë vetë.
“Shtëpia ime është gjithçka për mua. E bëra kopshtin të bukur për familjen, por tani më thonë se duhet ta prish. Nuk mundem, dhe nëse më dëbojnë, do të flejmë në rrugë”, u shpreh Mahmoud për MailOnline.
Punimet, që përfshinë prerjen e pemëve, nivelimin dhe vendosjen e një platforme të shtruar me pllaka, nisën në vitin 2023. Por pasi nuk u kërkua leje zyrtare për ndërhyrjen, këshilli bashkiak e konsideron këtë shkelje të kontratës së qirasë dhe e ka referuar çështjen në gjykatë.
Fqinjët në krah të saj
Fqinjët e Mahmoud janë shprehur të habitur nga qëndrimi i këshillit. Michael Bundock, 53 vjeç, tha: “Kopshti ishte një xhungël më parë, me barishte, qelqe dhe tulla të shpërndara. Ajo vetëm po përpiqej të bënte diçka të mirë. Pse duhet të ndëshkohet për këtë?”
Sipas tij, për shkak të barrierës gjuhësore, Renata nuk ka kuptuar se i nevojitej leje ndërtimi. “Ka kërkuar ndihmë prej vitesh nga bashkia për të rregulluar kopshtin për fëmijët e saj të vegjël, por askush nuk e ka ndihmuar.”
Reagimi i Këshillit Bashkiak
Një zëdhënës i Këshillit të Brighton and Hove tha: “Çështja është referuar në gjykatë pasi e konsiderojmë se zonja Mahmoud ka shkelur kontratën e qirasë. Dëbimi është gjithmonë zgjidhja e fundit. Për momentin nuk ka plane për dëbim, por jemi të interesuar të gjejmë një zgjidhje për problemet që janë krijuar në pronë.”
Ndërkohë, Renata përballet me një kërkesë për të kthyer kopshtin në gjendjen e mëparshme – një veprim që do t’i kushtonte edhe mijëra paund të tjera, të cilat thotë se nuk i ka.
“I kërkova bashkisë ndihmë për terrenin, jo për dizajnin”, thekson ajo, ndërsa përpiqet të shpëtojë jo vetëm investimin e saj, por edhe strehën e vetme për familjen.













