Një baba britanik i cili do të udhëtonte me avionin e kompanisë Air India që u rrëzua javën e kaluar, është mirënjohës për jetën e tij pasi vendosi të ndryshonte fluturimin në minutën e fundit – dhe në mënyrë të pabesueshme, ai ishte caktuar në të njëjtin vend 11A si mbijetuari i vetëm i tragjedisë.
Owen Jackson, 31 vjeç, nga Saffron Walden në Essex, kishte qenë në Indi për punë dhe pritej të kthehej në shtëpi të enjten. Por për shkak të angazhimeve të papritura, kolegët i sugjeruan që të udhëtonte të shtunën.
Të enjten në mëngjes, fluturimi AI171 u rrëzua pak pas ngritjes nga Ahmedabad, Gujarat, duke lënë vetëm një të mbijetuar nga 242 persona në bord, përfshirë 53 britanikë.

Owen nuk i kishte treguar familjes se në cilën ditë do të udhëtonte, dhe ndodhej në takime – pa kontrolluar telefonin – ndërkohë që gruaja e tij mësoi për lajmin tragjik.
Në mënyrë krejt rastësore, ai ishte caktuar në vendin 11A për fluturimin e së shtunës – të njëjtin vend ku qëndronte Vishwash Kumar Ramesh në avionin e së enjtes, i vetmi që mbijetoi.
“Është një tronditje,” tha Owen për The Sun. “Jam më shumë mirënjohës se gjithçka tjetër – është një rastësi e çuditshme.”
“E dëgjon ndonjëherë që avionë rrëzohen, por nuk i kushton shumë vëmendje. Por kur bëhet fjalë për një avion ku mund të ishe vetë dy ditë më pas, të bën të reflektosh.”

Gruaja e tij, Phillipa, 30 vjeç, nuk e dinte që ai kishte ndryshuar planet, dhe për orë të tëra nuk kishte asnjë informacion për fatin e tij.
Owen mësoi për rrëzimin vetëm dy orë më vonë, kur më në fund kontrolloi telefonin. Phillipa, e cila është mësuese, tha për The Sun se ishte në punë dhe “përpiqej të mos lejonte nxënësit të vërenin si ndihesha”.
“Edhe tani ndjehem e prekur, për disa ditë me radhë,” tha ajo. “Përplasja e emocioneve më sillte të qara të papritura.”
“Ajo që ne ndjemë nuk krahasohet me dhimbjen që po kalojnë familjet e viktimave. Zemra ime është me ta, është e tmerrshme.”
Britaniku Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, u identifikua javën e kaluar si i vetmi i mbijetuar nga përplasja e së enjtes.
Në mënyrë të pabesueshme, pasagjeri i vendit 11A arriti të dilte nga avioni me lëndime të lehta. Pamje të forta e treguan duke çaluar ndërsa largohej nga vendi i ngjarjes. Ai pësoi dëmtime në gjoks, sy dhe këmbë.

Z. Ramesh, nga Leicester, po kthehej në shtëpi pas një vizite tek familjarët në Indi, kur avioni u rrëzua, duke goditur godina banimi të mjekëve pranë aeroportit.
Fillimisht, autoritetet besonin se nuk kishte të mbijetuar. Në bord ndodheshin 53 britanikë, 159 indianë, shtatë portugezë dhe një kanadez.
Ndër pasagjerët ishin edhe 11 fëmijë, përfshirë dy të sapolindur.
Zyrtarët indianë konfirmuan se fjalët e fundit të kapitenit, pak para përplasjes, ishin thirrje emergjente “Mayday”.
Kapiten Sumeet Sabharwal, me mbi 8,200 orë fluturimi, tha me dëshpërim: “Shtytja nuk arrihet… po bie… Mayday! Mayday! Mayday!”
Avioni humbi lartësi menjëherë pas ngritjes dhe shpërtheu në flakë pasi u përplas me një ndërtesë banimi pranë aeroportit Sardar Vallabhbhai Patel në Ahmedabad.
Ende nuk dihet shkaku i saktë i tragjedisë, por autoritetet kanë urdhëruar inspektime të flotës së Dreamliner-ëve të Air India-s.

Të dielën, autoritetet konfirmuan se është gjetur regjistruesi i dytë i avionit – zëri i kabinës (CVR). Ky pajisje regjistron bisedat mes pilotëve, transmetimet radiofonike, alarmin dhe tingujt mekanikë.
Kjo do t’i ndihmojë hetuesit të kuptojnë se çfarë ndodhi në minutat e fundit para tragjedisë – një nga më të rëndat në dekadën e fundit.


Avionët zakonisht kanë dy “kuti të zeza” – të ndërtuara nga materiale ultra rezistente si titani apo çeliku, dhe të izoluara për të përballuar zjarret dhe përplasjet. Regjistruesi i parë u gjet të premten në çatinë e një ndërtese pranë vendit të rrëzimit, vetëm 28 orë pas aksidentit, nga Byroja Indiane e Hetimit të Aksidenteve Ajrore.
Tani që të dy pajisjet janë gjetur, autoritetet besojnë se do të jetë më e lehtë të përcaktohet shkaku.
Ministri Indian i Aviacionit, Ram Mohan Naidu Kinjarapu, shprehu shpresën se regjistruesi i të dhënave të fluturimit (FDR) do të ofrojë një “kuptim të thellë” të rrethanave të përplasjes.

Ndërkohë, Imtiyaz Ali, i cili ende priste për një përputhje ADN-je për të identifikuar vëllain e tij, tha se kompania ajrore duhet të kishte mbështetur më shpejt familjarët.
“Jam i zhgënjyer prej tyre. Ishte detyra e tyre,” tha ai për AFP.
Analisti i aksidenteve ajrore, Steve Schreiber, tha se bazuar në pamje të reja video, beson se avioni pësoi “dështim të dyfishtë të motorëve”.
Në kanalin e tij në Youtube, Captain Steeeve, ai theksoi një “protruzion” poshtë krahut të djathtë dhe një “pikë gri” që tregonte se ishte aktivizuar Ram Air Turbine (RAT) – një pajisje që siguron energji elektrike dhe presion hidraulik në raste emergjente.
Sipas tij, në një Boeing 787, RAT aktivizohet automatikisht në tri raste: dështim total elektrik, dështim total hidraulik, ose dështim i dyfishtë i motorëve.
Ekspertë në forume pilotësh gjithashtu kishin sugjeruar që RAT ishte aktivizuar pak para përplasjes, gjë që përforcon teorinë e dështimit të plotë të motorëve.