FLASH :

“Motra ime tha se ishte me një familje ‘të mrekullueshme’. Tre muaj më vonë u vra, u copëtua dhe u varros nën një verandë.” – Rrëfimi tronditës i Dezra Chambers për motrën e saj Alison, viktimë e Fred dhe Rosemary West

Në maj të vitit 1979, një vajzë 16-vjeçare me emrin Alison Chambers dërgoi një letër prekëse nga Gloucester për nënën e saj, duke i thënë se ndodhej me një “familje shumë të dashur”, se ishte e lumtur dhe se kujdesej për fëmijët e tyre. Në fund të letrës, ajo e lutej të ëmën që të mos shqetësohej: “Jam e sigurtë.” Por në të vërtetë, nuk ishte aspak e sigurt.

Vetëm tre muaj më pas, Alison u vra, u copëtua dhe u varros nën verandën e shtëpisë së famëkeqes dyshe vrasëse, Fred dhe Rosemary West. Trupi i saj qëndroi i fshehur për 15 vjet, derisa u zbulua në vitin 1994 nga policia, si pjesë e hetimeve që tronditën gjithë Britaninë.

Sot, për herë të parë, motra e saj më e madhe, Dezra Chambers, flet publikisht për tmerrin e pamasë që ka ndjekur familjen e saj për dekada me radhë. Rrëfimi i saj është pjesë e një dokumentari të ri në Netflix që sjell në qendër vuajtjet e familjeve të viktimave të çiftit West.

“E bëra për Alison,” thotë Dezra, 64 vjeç, që jeton në Holandë. “Shpesh viktimat harrohen. Doja që njerëzit të dinin kush ishte ajo – dhe se ishte e dashur.”

Dezra e përshkruan motrën e saj si një vajzë të zgjuar, të dashur dhe plot jetë. Ato u rritën bashkë në një familje të trazuar nga dhuna dhe varësia ndaj alkoolit e babait të tyre. Në moshën 15-vjeçare, Alison ishte futur në sistemin e përkujdesjes dhe pak më vonë ishte zhvendosur në Gloucester, ku ra në kontakt me familjen West.

Askush nuk e di saktësisht se si Alison përfundoi në duart e tyre, por letra që ajo dërgoi në shtëpi tregonte për një ambient pa stres – në kontrast me fëmijërinë e saj të vështirë. Pasi humbi kontaktin me të, familja e kërkoi për vite me radhë, duke besuar shpresat e kota të njerëzve që pretendonin se e kishin parë në Londër.

Në shkurt 1994, policia zbuluan eshtrat e një vajze 16-vjeçare të varrosura nën verandën e shtëpisë së Fred dhe Rosemary West, pas raportimeve se vajza e tyre biologjike, Heather, ishte “nën verandë”. Brenda pak ditësh, u zbuluan trupat e Alison dhe tetë vajzave të tjera të reja, të gjitha viktima të çiftit sadist.

“Nuk e besoja se një nga ato kuti mund të kishte Alisonin brenda,” kujton Dezra, e cila pak javë më vonë mori telefonatën fatale: ADN-ja kishte konfirmuar se një nga trupat ishte i motrës së saj.

Në qelinë e burgut, Fred West vrau veten më 1 janar 1995, duke shmangur drejtësinë. Ndërsa Rosemary u dënua me burgim të përjetshëm për dhjetë vrasje dhe sot është 71 vjeç, duke vuajtur dënimin në izolim total.

Për Dezrën, drejtësia nuk mund të kthejë motrën e saj. “Fëmijët e mi dhe nipërit e mbesat nuk do ta njohin kurrë Alisonin. Dhe ajo nuk do të ketë kurrë një jetë.” Edhe pse pjesëmarrja në dokumentar ishte e vështirë emocionalisht, ajo i dha zë një ndjenje që e kishte shtypur për dekada – fajin e mbijetesës.

“Jam motra e madhe,” thotë ajo me lot në sy. “Nuk mund të mos ndihem sikur duhej të kisha jetuar më fort – për të dyja.”