FLASH :

Motra e Kim Jong Un: Koreja e Jugut mbetet “armike”, nuk ka interes për bisedime

Pavarësisht përpjekjeve të fundit të Seulit për të ulur tensionet në Gadishullin Korean, motra e fuqishme e diktatorit Kim Jong Un, Kim Yo Jong, ka deklaruar se Koreja e Jugut vazhdon të jetë “armiku” i përjetshëm i Veriut dhe nuk ka asnjë interes për dialog.

Në një deklaratë të publikuar të hënën nga agjencia shtetërore e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA, Kim Yo Jong theksoi se “asnjë propozim” nga Seuli nuk mund të sjellë ndryshim në qëndrimin e regjimit të Phenianit. Kjo është përgjigjja e parë zyrtare nga Veriu që prej ardhjes në pushtet të presidentit të ri jugkorean, Lee Jae Myung, më 4 qershor, pas muajsh trazirash politike që përfshinë përmbysjen e ish-presidentit Yoon Suk Yeol.

Yoon kishte shpallur ligjin ushtarak në dhjetor për të “luftuar ndikimin e Koresë së Veriut” brenda institucioneve të Jugut – vendim që u rrëzua nga Kuvendi pas vetëm 6 orësh.

Kim Yo Jong akuzoi administratën e re se po vazhdon të mbështetet verbërisht në aleancën me SHBA-në, të cilën e cilësoi si “njollën” kryesore të Koresë së Jugut. Ajo tha se nuk ka “asnjë ndryshim në perceptimin e shtetit tonë për armikun” dhe se historia nuk mund të kthehet pas.

Përkundër kësaj deklarate të ashpër, zëdhënësi i Ministrisë së Bashkimit të Koresë së Jugut, Koo Byoung-sam, theksoi se retorika e Kim këtë herë nuk ishte aq përçmuese sa në të kaluarën. Megjithatë, ai pranoi se “muri i mosbesimit” mbetet shumë i lartë, dhe se Pheniani po ndjek nga afër hapat e qeverisë së re në Seul.

Në përpjekje për të qetësuar situatën, administrata Lee ka pezulluar transmetimet me altoparlantë përgjatë kufirit dhe ka ndaluar hedhjen e fletushkave propagandistike në veri. Kujtojmë se në vitin 2024, Koreja e Veriut hoqi dorë nga doktrina e ribashkimit paqësor dhe shkatërroi ura e rrugë që lidhin dy vendet, ndërsa në tetor ushtria jugkoreane u përgjigj me zjarr paralajmërues në kufi pas provokimeve të Veriut.

Zëdhënësi Koo tha se qeveria e re do të vazhdojë përpjekjet për paqe dhe bashkëpunim me Veriun, pa rënë pre e provokimeve.