Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e ka cilësuar deklaratën e përbashkët të udhëheqësve evropiane mbi negociatat në Ukrainë si “një tjetër fletëpalosje naziste”.
Komenti i saj vjen pas publikimit të deklaratës së përbashkët nga udhëheqësit e disa vendeve të BE-së dhe Ursula von der Leyen, duke bërë thirrje për një armëpushim.
“Djë tjetër fletëpalosje naziste pretendon se suksesi në arritjen e paqes në Ukrainë mund të arrihet vetëm duke ushtruar presion mbi Rusinë dhe duke mbështetur Kievin”, deklaroi ajo.
Ferragosto në Alaska. Këtu do të takohen të premten presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologu rus, Vladimir Putin, për një samit në nivelin më të lartë ku do të diskutohet e ardhmja e konfliktit në Ukrainë. Dhe në Shtetet e Bashkuara ka nisur tashmë polemika: “Vendi i vetëm më i mirë për Putinin do të kishte qenë Moska”, shpërthen duke folur pa pushim në të gjitha televizionet John Bolton, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i Trumpit, duke e paraqitur takimin si një fitore të rusëve.
Të pakënaqur janë edhe partnerët europianë: të cilët kanë kërkuar tre herë nga Steve Witkoff shpjegime të qarta se në çfarë konsistojnë realisht propozimet e Putinit për të arritur një armëpushim. Sepse fillimisht i dërguari special kishte folur për një Moskë të gatshme të tërhiqej nga zona në jug të Zaporizhias dhe Khersonit në këmbim të kontrollit të plotë të Donetskut. Më pas, ai kishte thënë se në fakt do të ngrinin thjesht vijën e frontit. Por, me sa duket, nuk e kishte kuptuar mirë: në fund doli se e vetmja ofertë në tryezë ishte tërheqja e njëanshme e Ukrainës nga Donetsku. Dhe kështu, çështja e territoreve mbetet nyja më kritike për t’u zgjidhur. Aq më tepër pasi vetë Trump ka sugjeruar “një farë shkëmbimi në terren”, duke sinjalizuar gatishmërinë e SHBA-së për të mbështetur kërkesat ruse.
Plani u hodh menjëherë poshtë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Europianët, dje, punuan për një kundërpropozim, duke konfirmuar “mbështetjen e plotë për Kievin”.
Megjithatë, mbeten ende detaje të komplikuara: nga garancitë e sigurisë për Ukrainën te e ardhmja e aseteve ruse të ngrira. Së bashku me çështjen Zelensky: Putini nuk e dëshiron. Por, të paktën për këtë, “The Donald” i ka qetësuar aleatët, duke thënë se dëshiron ta takojë menjëherë pas samitit.
Sipas NBC, presidenti po shqyrton gjithashtu mundësinë për ta ftuar megjithatë homologun ukrainas në Alaska, duke mbetur “i hapur për një takim trepalësh”. Moska e hedh poshtë kritikat europiane dhe paralajmëron: “Vendet e interesuara për të vazhduar konfliktin do të bëjnë përpjekje titanike – provokime dhe dezinformata – për të minuar takimin e planifikuar”, ka akuzuar kreu i negociatorëve rusë për rifillimin e marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, Kirill Dmitriev.
Vendndodhjen amerikane të samitit e njoftoi vetë Trump, të enjten në mbrëmje, me një postim në rrjetin e tij social Truth, pa ofruar megjithatë detaje të tjera. Një rast historik, padyshim. Takimi i parë ballë për ballë mes liderëve të dy vendeve që prej qershorit 2021, kur ishte Joe Biden që takoi Putinin, në një vend neutral në Gjenevë. Mbi të gjitha, rikthimi i rusit në Amerikë që prej shtatorit 2015, kur, në kohën e Barack Obamës, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Alaska ka qenë tashmë skenë e takimeve në nivel shumë të lartë. Po në vitin 2021, Biden priti në Anchorage – qyteti më i populluar i atij territori të mbuluar me akull për pjesën më të madhe të vitit – presidentin kinez Xi Jinping. Vendi i takimit mund të jetë i njëjti. Por mund të zgjidhet edhe kryeqyteti Juneau ose ndonjë vendpushim i largët.
Duke folur për median katolike EWTN, Sekretari i Shtetit Marco Rubio – dikur mbështetës i madh i Kievit – ka shpjeguar se amerikanët në një farë mënyre “e kuptojnë se çfarë duan rusët për ta ndalur luftën. Nëse ne e mbushim hendekun mes ukrainasve dhe rusëve, presidenti mund të marrë pjesë në çdo lloj takimi dhe ndoshta ta afrojë marrëveshjen”. Edhe senatori Lindsey Graham, republikani nga Karolina e Jugut, mik i madh i Trumpit (dhe gjithmonë pro-Ukrainës), ka mbrojtur ftesën amerikane: “Atyre që e kritikojnë atë për gatishmërinë për t’u takuar me Putinin tek ne, vetëm e vetëm për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë, i kujtoj se Reagan u takua me Gorbaçovin për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë”. Duke u shprehur i bindur: “Nëse Putini do të këmbëngulë për një marrëveshje të papërshtatshme, Trump do të largohet. Ashtu siç bëri Reagan”