Prej më shumë se 20 vitesh, bota e njeh si Anne Hathaway, por aktorja e njohur hollivudiane ka zbuluar se nuk e duron fare këtë emër. Në një intervistë të rikthyer së fundmi nga viti 2021 për “The Tonight Show” me Jimmy Fallon, fituesja e çmimit Oscar tregoi se do të preferonte të quhej “Annie”.
“Ju lutem, më thërrisni Annie, të gjithë!”, tha ajo me humor, duke rrëfyer se emri “Anne” i kujton gjithmonë nënën e saj kur zemërohej dhe e përdorte vetëm kur kishte ndonjë problem. Për ironi të fatit, emri që e bëri të famshme, është pikërisht ai që nuk e ndjen si të sajin. Hathaway sqaroi se e regjistroi emrin e plotë në sindikatën e aktorëve kur ishte vetëm 14 vjeç, pa e imagjinuar se do ta ndiqte përgjithmonë në publik.
Sot, edhe kolegët në xhirime shmangin ta thërrasin me emrin e saj zyrtar dhe zgjedhin variante më të ngrohta si “Annie”, “Hath” apo “Miss H”. Aktorja e filmave si Les Misérables dhe Interstellar thotë me sinqeritet: “Unë jam një Annie. Nuk më shkon ‘Anne’. Më jep ndjesinë sikur kam bërë diçka gabim.”